Kanë kaluar 15 vjet qëkur një film i realizuar në Kinë i Ang Lee, me titull “Crouching Tiger: Hidden Dragon”, hyri në tregun e arkave filmike të Amerikës Veriore me 100 milionë dollarë të grumbulluar.
Ende ka gjasa që Hollywoodi të ndryshojë përgjithmonë për hir të shprehive të adhuruesve kinezë të kinemasë. Në fillim të javës “Hollywood Reporter” parashikoi se arkat kineze filmike, që tashmë janë të dytat në gjithë globin, do ta tejkalojnë Amerikën Veriore në vitin 2018, që i bie plot dy vjet më herët sesa që pritej.
Në vitet e fundit studiot filmike kanë bërë çfarë kanë mundur për t’u kujdesur për pasionin për kinema në këtë pjesë të botës që gjithnjë e më shumë po zgjerohet, duke realizuar marrëveshje bashkëprodhimi në “bluckbusterët” fantastikë si “Iron Man 3” dhe “Transformers: Age of Extinction”. Yjet kineze të filmit si Fan Bingbing janë lëshuar si parashutistë me role në filma hollywoodianë në mënyrë që audienca lokale të mbetet e kënaqur. Më pas filmat janë montuar përsëri për adhuruesit perëndimorë. “Dreamworks” më 2012 ka hapur një studio me seli në Kinë, duke arritur partneritet me kompanitë lokale, të cilat do të mbikëqyrin lansimin e vazhdimit të filmit të animuar “Kung Fu Panda 3”. Në anën tjetër “Warner Bross” së fundi ka bërë publike planet që të bashkëpunojë me “China Media Capital” dhe ka nënshkruar kontratë që të realizojë filma në gjuhën kineze që synojnë tregun e brendshëm. Është herët të thuhet nëse këto bashkëpunime do të prodhojnë filma të kualitetit të lartë në gjuhën kineze që do të mund të ndihmonin që të përmirësohen standardet e përgjithshme të kinematografisë botërore. Por ka parashikime negative për këtë dinamikë të re. Hollywoodi veçse është bërë i varur nga adhuruesit kinezë të kinemasë në mënyrë që të kursehet nga dështimet e produksioneve të filmave me buxhet të lartë. Sa më shumë që rriten arka filmike lokale, aq më shumë studio do të jenë të detyruara të përmbushin shijen lokale dhe t’i shmangen zemërimit të politikës kineze. Duke pasur parasysh filmat që kanë pasur sukses në arka filmike kineze në vitet e kaluara, nënkuptohet se duhen filma me efekte speciale prodhime fantastike me pak ose aspak motivime politike për t’iu shmangur censurës së famshme shtetërore. Nëse jeni adhurues i filmave si “Pacific Rim” të Guillermo Del Toro, me vizionin e tij për alienët monsterë që luftojnë robotët, ose filmat me temë gati të ngjashme si “Transformers” të Michael Bay, ky është një lajm i mrekullueshëm për ju.
“Age of Extinction” deri vitin e kaluar ishte filmi me më së shumti të hyra në historinë e Kinës. “Pacific Rim” asnjëherë nuk do të arrinte suksesin me vazhdimin e fundit po të mos ishte suksesi që pati në Kinë, ku grumbulloi 108 milionë dollarë. Ka shumë gjasë që Arnold Schwarzenegger të rikthehet edhe një herë në rolin e Terminatorit si 70-vjeçar. Por në një epokë kur jemi gati të shohim filmat e parë “ghostbusters” në më shumë se një çerek shekulli, ia vlen të shohësh një stil ndryshe, dikur dominues të bluckbusterëve të Hollywoodit që me sa duket do t’i shohim më pak në të ardhmen. Përderisa filmat hit të kësaj vere në arka filmike amerikane si “Straight Outta Campton” dhe “Trainwreck” mbase janë realizuar mjaft lirë sa për të mbijetuar dominimin e botës së re të arkave filmike kineze, filmat aksion e komeditë me buxhet të lartë – që kryesonin në vitet ‘80 dhe ’90 – do të gjejnë veten të varur nga burrat e parave. Pse të bëhet një projekt ekuivalent me “Beverlly Hills Cop” , kur filma të tillë nuk kanë gjasa të përkthehen për audiencën kineze dhe shumica prej të cilëve edhe ashtu nuk do të kalonin për shkak të censurës?
Steven Spielberg e kishte parashikuar më 2013 se kinemaja mund të ndahej në dy forma të ndryshme në mënyrë radikale, me blockbusterët me buxhet të lartë që do të kushtonin 25 dollarë për t’u parë në një kinema në ShBA dhe me dramat e lira të prodhuara, të cilat mund të gjenden në “HBO” ose “Netflix” me 7 dollarë. Gjiganti i Hollywoodit besonte se gjërat do të shkonin në atë rrjedhë saqë pas një viti, studiot që do të realizonin projekte me buxhet të madh do të kërkonin më shumë para nga adhuruesit e kinemasë për të rrezikuar me filma të shtrenjtë. Por ngritja e Kinës nënkupton se ky rrezik nuk duhet të merret parasysh, për aq sa filmat janë mjaft të zbutur sa për t’u shfaqur në Kinë. Kështu që, Spielberg duket se ka pasur të drejtë për gjysmën e asaj që ka thënë. Realiteti është se e ardhmja e Hollywoodit mund të jenë blockbusterët fantastikë më 150 milionë dollarë që dizajnohen në atë mënyrë sa për të kaluar censurën në Pekin. Cilido film që dështon të ketë këto dy elemente, ka pak ose aspak gjasë për të marrë dritën e gjelbër, shkruan “The Guardian”.
Monday, 21 September 2015 14:27