Partitë shqiptare në Maqedoni vlojnë nga brenda në prag të zgjedhjeve të 24 prillit.
Në partinë më të madhe shqiptare që është pjesë e koalicionit qeveritar, Bashkimin Demokratik për Integrim, janë shtuar edhe publikisht zërat që kërkojnë reforma, ndërsa partitë më të vogla opozitare dërgojnë mesazhe për formim të një fronti opozitar kundër BDI-së, njofton korrespodenti i Koha Ditore nga Shkupi.
Së fundmi, nënkryetari i Kuvendit dhe ish nënkryetari i BDI-së, Rafis Aliti, një nga themeluesit e kësaj partie, ka shkuar deri aty sa ka thënë se nëse bëhen këto reforma partia e Ali Ahmetit rrezikon edhe të humbë besimin.
“Kuptohet se ky ambient politik ndikon edhe në radhët partiake të BDI-së. Unë do të them se anëtarësia dhe strukturat e BDI-së kërkojnë reforma. Ne jemi të vetëdijshëm se ai proces i reformave nuk mund të realizohet brenda një dite. Ai procesi i reformave duhet të jetë permanent. Këtë e them sepse anëtarësia jonë kërkon që ato kuadro që janë dëshmuar në punën e tyre të vazhdojnë edhe më tej. Mirëpo ato kuadro që kanë fituar besimin e BDI-së, kurse nuk janë dëshmuar ose e kanë prishë imazhin e partisë, gjithsesi se duhet të ndërrohen dhe të pushojnë”, ka deklaruar Aliti në një intervistë për të përditshmen maqedonase, Utrinski Vesnik.
Ai pretendon se në këtë mendim është edhe kryetari i partisë, Ali Ahmeti.
“Edhe ai mendon se duhet të ketë ndryshime në politikën kadrovike, që të vijnë njerëz të rinj. Sepse nëse nuk ndodhin reforma, nëse nuk ndodhin ndryshime, BDI përfundimisht do të humbë një pjesë të madhe të besimit te votuesit”, ka theksuar Aliti.
Paraprakisht mediat në Shkup duke u thirrur nga burime partiake, disa herë kanë paralajmëruar edhe për fraksione brenda kësaj partie. Tre deputetë dhe kryetari i Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, janë përfolur si bartës eventualë të një iniciative për fraksion ose parti të re që do të del nga BDI. Por deri më tani asnjë nga emrat e përmendur nuk kanë konfirmuar dhe as kanë mohuar shkrimet.
Ndërkohë një nga subjektet më të reja në skenën politike, Lëvizja “Besa”, ka ftuar publikisht jo vetëm partitë, por edhe organizatat joqeveritare, ekspertët dhe individë që të bashkohen në një “këshill mbipartiak opozitar”.
“Ideja është që me iniciativë, e theksojmë vetëm me iniciativë, pra pa kurrfarë patronazhi të Lëvizjes BESA, të iniciohet themelimi i një këshilli mbipartiak, në të cilin BESA do të jetë një ndër subjektet bartëse, ndërsa në të do të bëjnë pjesë më shumë subjekte politike opozitare, por edhe më shumë OJQ, si edhe intelektualë të pavarur, analistë e opinionbërës, por edhe afaristë, artistë, sportistë etj., pra të gjithë që duan ta shpëtojnë kombin nga kjo strukturë degraduese në Maqedoni”, ka deklaruar kryetari i Këshillit Koordinues të Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, gjatë konferencës për gazetarë ku është paraqitur platforma.
Kasami tha se për Lëvizjen Besa nuk është më e rëndësishme se si bëhen listat e deputetëve dhe kush janë pushtetarët e ardhshëm, sa është e rëndësishme që më 24 prill 2016 të përfundojë ky lloj i përfaqësimit politik i shqiptarëve nga ana e BDI-së.
“Derisa shqiptarët janë në gjendje emergjente që ta shpëtojmë kombin nga kjo e ligë, jemi në gjendje të bashkëpunojmë me secilin, kushdo qoftë ai, mjafton ta ketë këtë ideal dhe këtë dëshirë”, tha Kasami.
Ndërkohë dy subjektet opozitare shqiptare, Lëvizja për Reforma në PDSH e udhëhequr nga Ziadin Sela dhe Rilindja Demokratike Kombëtare, tanimë kanë formuar Aleancën për shqiptarët. Ata më herët dështuan në një përpjekje për t’u bashkuar edhe me Lëvizjen Besa, por ende nuk i kanë mbyllur përfundimisht dyert e aleancës për këtë dhe subjektet e tjera. E vetmja që nuk përmendet në këto iniciativa është PDSH-ja e Menduh Thaçit të cilën paraprakisht e kishin refuzuar subjektet e tjera opozitare.
Saturday, 19 September 2015 09:24