Lajme Shqip Wednesday, 16 September 2015 09:10

Një licencë e skaduar, e printuar në një letër formati A4, nga një webfaqe amerikane i ka mjaftuar Ministrisë së Shëndetësisë (MSh) që në vitin 2011 t’i japë leje pune si farmacist Jeton Shalës.

Emri i tij do të votohet të mërkurën (sot) në mbledhjen e Qeverisë se Kosovës për kryeshef të Agjencisë Kosovare për Produkte Mjekësore (AKPM). Në kohën kur Shala kishte aplikuar për licencë ka qenë ushtrues detyre i kryeshefit të kësaj agjencie, shkruan sot Koha Ditore.

Në dokumentacionin e dërguar për licencim Shala nuk ka dorëzuar diplomë për studime themelore në farmaci. Të vetmin dokument që komisioni i MSh-së, i përbërë nga farmacistët Haki Jakupi, Milaim Abdullahu e Zehadin Gashi, e ka marrë parasysh që është një licencë e skaduar e printuar nga një webfaqe amerikane, mbi të cilën nuk ka as vulë e as të dhëna se me çfarë shkollimi është licencuar Shala në SHBA.

Në krye të kësaj flete shkruan “Search of license” (Kërkim për licencë). Ndërsa më poshtë jepet afati i licencës, nga 01.12.2010 deri me 31.01.2011, që dëshmon se afati i licencës kishte skaduar dhjetë muaj para se Shala të aplikonte në MSh për t’u licencuar si farmacist. Letra ishte printuar më 18 nëntor 2011. Tri ditë pas, më 21 nëntor 2011, Nënkomisioni për Licencim të Farmacistëve, kishte marrë vendim t’i jepte Shalës të drejtën e punës.