Lajme Shqip Tuesday, 01 September 2015 14:54

 

Lëvizja Vetëvendosje, dega në Prizren e vlerëson si kapitullim të drejtësisë, rigjykimin e Ramadan Mujës.

Vetëvendosje përmes një njoftimi për media ka theksuar se vendimi i Gjykatës së Apelit për kthimin e rastit të Ramadan Mujës në rigjykim nuk mund ta quajmë ndryshe pos instrumentalizim të drejtësisë në shërbim të agjendës politike të pushtetit.

“Përpos që ka dëmtuar interesin publik duke i dhënë mundësi të re shkelësve të ligjit, Gjykata e Apelit me këtë rast ka shkelur parimet themelore të drejtësisë, atë të racionalitetit të procedurës duke e zgjatur tej mase kohën e marrjes së vendimit dhe parimin e pavarësisë së gjykatave duke lejuar ndërhyrje nga jashtë.

Lëvizja Vetëvendosje konsideron se ky rast është tregues më i qartë për kapjen e shtetit në të gjitha segmentet e saj. Ndonëse pushtet i ndarë dhe me garanci kushtetuese për funksionim të pavarur, pushteti gjyqësor tashmë është kthyer në mburojë që ia siguron vazhdimësinë e pushtetit kriminal PDK-së”, thuhet në njoftim.

Më tej në njoftim theksohet se mosmarrja pjesë e prokurorit të rastit dhe papërgjegjësia e trupit gjykues në shqyrtimin e fundit, ishin tregues të qartë për përmbajtjen e vendimit.
“Në të vërtetë, gjatë gjithë rrjedhës së procedurës, objekt gjykimi në këtë instancë nuk ishte aspak aktgjykimi i shkallës së parë, por dilema se a duhet të shkojë Komuna e Prizrenit në zgjedhje të parakohshme apo jo”, thuhet në vazhdim të njoftimit.

VV- ja konsideronë se krimi, kriminaliteti dhe korrupsioni në sferën publike në Kosovë nuk janë raste të izoluara, por pasojë sistemike e një mentaliteti qeverisës kriminal. Siç dëshmon edhe ky rast, kjo gangrenë tashmë ka prekur të gjitha instancat e shtetit dhe dalja e vetme nga kjo situatë mbetet vetëm angazhimi i drejtpërdrejtë qytetarë për ndryshime demokratike në vend.