Lajme Shqip Tuesday, 01 September 2015 09:45

Dikur një qytet tipik industrial në Republikën Demokratike Gjermane (RDGJ) komuniste, Heidenau është shndërruar tashmë në një simbol të valës më të fundit të urrejtjes neonaziste

Qyteti i vogël gjermano-lindor i Heidenaut përfundoi në faqet e para të gazetave, pasi disa qindra mbështetës të Partisë Nacional Demokratike të ekstremit të djathtë, nën thirrjet “Heil Hitler” u përplasën me policinë javën e kaluar. Ishte një ngjarje e cila nxori edhe një herë në pah ndarjen mes lindjes dhe perëndimit të Gjermanisë.

Kancelarja Angela Merkel udhëtoi në Heidenau për të dënuar dhunën dhe u prit me fërshëllima teksa dilte nga makina e saj. Një protestues mbante një pankartë ku lexohej “Tradhtare!”, një fjalë që i drejtohej kancelares.

Protestat në Heidenau kanë qenë më të mëdhatë deri tani në Gjermani, teksa më shumë se 30 policë janë plagosur, por nuk janë të izoluara. Evropa po përjeton prurjet më të mëdha të refugjatëve që nga Lufta e Dytë Botërore, dhe Gjermania pret më shumë prej tyre, se sa të gjithë fqinjët e saj. Qeveria ua bëri më të lehtë të ardhurve nga Siria, që të qëndrojnë në vend, si dhe premtoi ndihmë të mëtejshme financiare për shtetet dhe bashkitë që përballojnë fluksin e refugjatëve. Shumë vullnetarë në të gjithë vendin po ndihmojnë imigrantët. Por, ka edhe protesta dhe dhunë ksenofobe.

Fondacioni Amadeu Antonio, që mbledh të dhëna mbi sulmet kundër refugjatëve dhe kampeve ku këta strehohen, numëroi 345 raste deri në 25 gusht, një rritje e madhe krahasuar me një vit më parë. Grafiku tregon se janë incidente që nuk janë të shpërndarë në mënyrë të njëtrajtshme në të gjithë vendin. Ndonëse ka shumë sulme me zjarrvënie në Gjermaninë perëndimore, sidomos në Bavari dhe në Rhine-Vestflainë Veriore, është lindja komuniste që ka më shumë incidente kundër refugjatëve, shkruan Zeri.

Shteti i Saksonisë, ku ndodhet Heidenau, ka numrin më të madh të sulmeve kundër vendstrehimeve të refugjatëve.

“Ne kemi numrin më të madh të rasteve të dhunës, ndër rajonet ku ekzistojnë tashmë struktura të të djathtës ekstreme”, shpjegon Robert Luedecke, zëdhënësi i Fondacionit Amadeu Antonio. “Problemi nuk janë qytetet, shumica e sulmeve ndodhin në fshatra”. Numri më i lartë i sulmeve kundër refugjatëve korrespondon me rritjen e pranueshmërisë për idetë ksenofobe në ish RDGJ. “Tendencat drejt të djathtës ekstreme janë më të forta në lindje”, thotë Luedecke. “Njerëzit ishin të çorientuar pas ribashkimit, u shfaq një boshllëk, dhe Partia Nacional Demokratike ishte aty, e gatshme për ta mbushur”.

Një studim i kryer që nga viti 2002 nga Universiteti i Laipcigut ka gjetur se ka më shumë mbështetje në lindje për Partinë Nacional Demokratike, si dhe shprehje të deklaratave ksenofobe, si “kur nuk ka vende pune të mjaftueshëm, ne duhet të kthejmë të huajt andej nga kanë ardhur”.

Elmar Braehler, një prej autorëve të studimit, thotë se ndarja lindje-perëndim është rezultat i një përzierje komplekse të niveleve të arsimit dhe punësimit, si dhe kontaktit me të huajt. “Ka pasur një largim të trurit në Lindje, teksa njerëzit më të arsimuar u larguan, në kërkim të punës”, thotë ai. Ai sheh një lidhje me nivelin e arsimit dhe papunësisë. Sipas studimit, pranueshmëria për deklaratat ksenofobe pati rritje në lindje mes viteve 2002 dhe 2012, dhe nisi të bjerë në vitin 2014, me përmirësimin në punësim.

Mungesa e kontaktit me të huajt në RDGJ-në komuniste, ka qenë gjithashtu një faktor që ka kontribuar në sjelljen ndaj refugjatëve. Por edhe në Gjermaninë e sotme, shumica e të huajve jetojnë në Perëndim, teksa vetëm 10.5% e tyre jetojnë në Lindje.

Tabloidi Bild, në një koment në anglisht, kujtonte se si njerëzit nga ish RDGJ, shkuan drejt Gjermanisë Perëndimore në vitin 1989. “Urrejtja kundër refugjatëve sot, po ndodh pikërisht atje ku, disa vite më parë, të bëheshe refugjat ishte e vetmja shpresë e mbetur. Ndonëse Heidenau është vetëm një pjesë e vogël e Gjermanisë, ai është shndërruar në një turp për vendin tonë”./ The Washington Post/