Isak Smakolli ka qenë në arrati, ndërsa dyshohet të jetë sekser i prokurores, Vaide Badivuku. Ai dyshohet t’i ketë marrë 22 mijë eurot në emër të prokurores Badivuku dhe me një pjesë të tyre ishte rrezitur në Budvë. Ndaj tij tashmë është caktuar paraburgimi.
Prokurorja e Departamentit të Krimeve të Rënda në Mitrovicë, Vaide Badivuku, për të marrë ryshfet tek palët që po i hetonte nuk kishte punuar e vetme. Ajo kishte pasur sekserë dhe në mesin e tyre kishte qenë Isak Smakolli, nga Mitrovica.
Smakolli është personi, i cili në emër të prokurores Badivuku i kishte marrë 22 mijë euro me qëllim që ajo të bënte kërkesë për lirimin e nëntë veturave të familjes Hasani, katër anëtarë të së cilës Badivuku ka kohë që op i hetonte për “Fajde” dhe “Detyrim”.
Badivuku është arrestuar në orët e para të 23 gushtit dhe atë në pikën kufitare në Merdare. Ajo ishte nisur për në Austri dhe atë një ditë pasi që e kishte përpiluar kërkesën, sipas së cilës kishte kërkuar rikthimin e veturave që iu kishin konfiskuar familjes Hasni.
Badivukut në momentin e arrestimit i janë gjetur pesë mijë euro, një mijë nga të cilat i kishte në çantë, ndërsa katër mijë në një minifrigorifer që e kishte me vete.
Paratë e gjetura tek Badivuku kanë qenë bankënotat e njëjta që Policia e Kosovës ia kishte dhënë familjes Hsani. Kjo familje e kishte lajmëruar Policinë që përmes sekserit Smakolli prokurorja Badivuku i kishte kërkuar 22 mijë euro dhe kësisoj Policia e kishte simuluar rastin, duke ia dhënë të hollat familjes Hasani.
Nga 22 mijë eurot e Policisë, vetëm pesë mijë dyshohet t’i ketë marrë prokurorja Badivuku, derisa pjesën tjetër Isak Smakolli e ka mbajtur ose e ka shpërndarë tek persona të tjerë.
Smakolli kishte shkuar në Budvë, ndërsa disa ditë më vonë për pushime ishte nisur edhe Badivuku, e cila është ndaluar në kufi. /Zëri
Tuesday, 01 September 2015 08:56