Lajme Shqip Sunday, 30 August 2015 08:25

Delegacioni i Kosovës në bisedime me Serbinë ka nënshkruar në Bruksel Marrëveshjen për Asociacionin e Komunave Serbe pa qenë të informuar për shpërbërjen e strukturave ilegale në veri.

Sipas pjesëtarëve të partive politike, por edhe qytetarëve e aktivistëve në Mitrovicë, “Civilna Zastita” me 20 organizata të tjera kriminale, duke përfshirë edhe “Rojet e urës” vazhdojnë të gravitojnë lirshëm në komunat verore.

Madje pas Marrëveshjes, sipas burimeve nga veriu, forcat ilegale i kanë shtuar radhët e veta.

Deri më tash, vetëm 105 ish-pjesëtarë të të ashtuquajturës “Civilna Zastita” kanë arritur t’i kryejnë trajnimet në Vushtrri dhe të integrohen në strukturat kosovare të sigurisë, disa të tjerë janë inkuadruar si gardianë të burgut dhe disa në strukturat emergjente.

Pohimet e ministres për Dialog, Edita Tahiri, se “Civilna Zastita” është shpërbërë dhe se ata kanë dorëzuar çelësa e pikave të vëzhgimit që kanë pasur në veri të Mitrovicës dhe në komunat veriore, Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok, nuk janë aspak të vërteta, shkruan Zëri.