Lajme Shqip Thursday, 27 August 2015 16:28

Shqiptarët llogariteshin mercenarë të zotë qysh në shekullin XVII. Mercenarinë e tyre e plotësonte edhe pozita fort e lakmueshme gjeostrategjike.

Këto gjëra kishin zgjuar interes të madh tek filozofi i njohur gjerman, Gottfried Wilhelm Leibniz. Ai kishte shërbyer si punonjës shkencor në oborrin princëror të Hanoverit, në dekadën e tetë të shekullit XVII. I ishte ofruar edhe oborrit të Habsburgut, që në atë kohë njihej si Perandoria Austro-Hungareze.

Kishte ofruar argumente se përse duhet të pushtohej Shqipëria. Tek ka shpalosur një letër-memorandum të tij profesori i Universitetit “Ludwig Maxilmilian” në Munchen, Bardhyl Demiraj ka paraqitur arsyetimet e Liebniz për pushtimin e Shqipërisë. Këtë Demiraj e ka bërë të mërkurën në ditën e nëntë të Seminarit të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

“Kam bërë si objekt të studimit një letër-memorandum të shkruar rreth muajit shtator të vitit 1688. Është një dorëshkrim nga dikush që jo rastësisht i merret parasysh mendimi kur ka shkruar apo thënë diçka.

Është fjala për Gottfried Wilhelm Leibniz”, ka thënë ai, tek ka ligjëruar mbi temën “Shqipëria dhe shqiptarët në oborrin e Habsburgut – një rast i parë i ndërlikjes së shkencës me politikën”.

Sipas tij letër-memorandumi përkon tamam me kohën kur trupat austriake kishin hyrë dhe e kishin pushtuar Beogradin, duke e çliruar nga trupat osmane.

“Thyhet ajo barriera kryesore që ia kishin vënë osmanët Perandorisë Austriake përgjatë Danubit. Leibniz gjen këtë moment dhe shkruan”, ka shpjeguar Demiraj.

Leibniz, sipas tij, kishte shkruar sesi pika kryesore e suksesit është pikërisht pushtimi i qëndrueshëm dhe i vazhdueshëm i Shqipërisë.

“Ishte pozita strategjike përballë Italisë në jug të Venedikut. Nëse Perandoria Austriake shtrihej deri në Shqipëri, atëherë hapeshin edhe porta të rëndësishme strategjike, siç është Durrësi”, ka thënë Demiraj.

Demiraj ka thënë se asokohe shqiptarët ishin të mirënjohur si luftëtarë besnikë dhe të zotë. Sipas tij, shqiptarët kanë qenë vërtet të njohur me mercenarizmin e tyre si faktor kryesor ekonomik.

“Kanë qenë të zotë.

Dhe këtë kishte qëllim Leibnizi, që nëse këta edukohen me artin e ushtrisë dhe i bëjmë që të jenë më të disiplinuar, atëherë këta i kemi një trupë ideale që ndihmon në rastet e kësaj natyre’”, ka thënë Demiraj. Profesori që e kishte shpëtuar shuarjen e Katedrës së Albanologjisë në Universitetin “Ludwig Maxilmilian”, ka treguar se një vit pas letër-memorandumit, më 1689, trupat e koalicionit “Lega-Sacra” nën drejtimin e gjeneral Piccolominit ishin vendosur në Prizren.

“Leibnizi thotë se do të priteshin si çlirimtarë. Popullsia e krishterë i ka pritur si çlirimtarë. Trupat e një ushtrie vendosen në Kosovë ashtu siç kishte parashikuar në letër Leibniz”, ka thënë Demiraj.

Por qëndrimi i tyre në Prizren nuk kishte zgjatur shumë. Demiraj ka thënë se kishte rënë një epidemi e fortë nga e cila kishte pësuar edhe vetë gjenerali Piccolomini, që ishte varrosur diku në rrethinën e Prizrenit.

“Kishte një shthurje në ushtrinë austriake që pason me tërheqjen e trupave të saj”, ka thënë Demiraj. Për të, me forcën e argumentit të tij filozofi gjerman kishte arritur të vërë në lëvizje fuqitë e kohës, përderisa letra e tij kishte pasur një rol vendimtar në luftën kundër osmanëve. Ka shpjeguar se Leibniz ishte një figurë poliedrike që ndër të tjerash është edhe shpikësi i parë i makinës llogaritëse.

“Bota e njeh edhe si enciklopedistin e fundit.

Mendimi i tij peshonte”, ka thënë Demiraj. Letra e tij, për Demirajn, kishte të bënte me idenë e largimit të turqve nga Ballkani e Evropa. Por filozofi nuk ishte ndalur vetëm tek fuqia territoriale dhe mercenarizmi shqiptar. Ishte thelluar edhe në gjuhën shqipe.

“Leibniz ishte i interesuar kryesisht për të plotësuar një boshllëk që ishte krijuar në koncepsionin e tij rreth hartës demografike gjuhësore të antikitetit në Evropë, sidomos në Ballkan”, ka thënë Demiraj.

Sipas tij, kishte ngelur një vend bosh ku filozofi nuk arrinte të identifikonte se ç’material gjuhësor mund të merrte nga kjo pjesë.

“Për gjuhën shqipe kishte ardhur në përfundim se ishte një gjuhë e veçantë që dallonte nga greqishtja e vjetër dhe sllavishtja e vjetër”, ka thënë Demiraj, ligjërata e të cilit është cilësuar si nga më të rëndësishmet qysh në fillim të Seminarit nga drejtuesit e këtij edicioni.

Të mërkurën ndër studiuesit e tjerë që janë paraqitur me kumtesa në Seminar ishin edhe Shpëtim Elezi me kumtesën “Përdorimi i shqipes standarde nga mësimdhënësit e ciklit fillor”, Kadire Binaj me kumtesën “Deiksi vetor në gjuhën shqipe” e Flutura Mehmeti me kumtesën “Pikëpamjet e M. Lambercit për periudhën hipotetike të shqipes”./koha.net./