Lajme Shqip Wednesday, 26 August 2015 17:00

Ish shefi i ekipit negociator serb në negociatat mes Kosovës dhe Serbisë, dhe kryetari i Partisë Demokratike, Borislav Stefanoviq, i ka vlerësuar me nota pozitive marrëveshjet e arritura dje në Bruksel, por ka thënë se ato ofrojnë larg më pak nga ajo që kryeministri Aleksandar Vuçiq, u kishte premtuar qytetarëve serbë

Sipas tij, pavarësisht kësaj marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel përbëjnë bazën për normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës e Beogradit.

Ai ka thënë se është e paqartë se çfarë ingerencash do të ketë Asociacioni i Komunave Serbe që do të kenë organet e parapara me Marrëveshjen e Brukselit, por është e qartë se nuk do të ketë autorizime ekzekutive dhe vendimmarrje të pavarura në shëndetësi, arsim, planifikim hapësinor dhe zhvillim ekonomik.

“Mbeten vetëm koordinimi dhe mbikëqyrja. Nuk mendoj se kjo është keq, porse e gjitha që është bërë është larg nga ajo që kanë folur dhe premtuar, sidomos për serbët në Kosovë. E gjitha është e mbështjellë me një dekor fryrje patriotike gjoksesh”, ka thënë Stefanoviq.