Lajme Shqip Wednesday, 26 August 2015 07:56

“Ditë të frytshme” e ka quajtur të martën në Bruksel, ministrja për Diaolog, Edita Tahiri, kur delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë janë marrë vesh për katër çështjet që janë diskutuar në pako.

“Prej sot Kosova e kodin e saj telefonik që është 383. Austria do të aplikojë në emër të Kosovës. Sa i përket një kompanie serbe, nuk bëhet fjalë për një operator çfarë e proklamon Serbia, pra nuk ka operatorë të tretë, por marrëveshja parasheh një leje të përkohshme një kompanie që do të regjistrohet sipas ligjeve të Kosovës”, ka thënë Tahiri për Interaktiv të KTV-së.

“Të gjitha kodet aktuale në Kosovë, 377, 386 e 381, do të kalojnë në 383. Lidhjet telefonike mes Kosovës dhe Serbisë janë ndërkombëtare”, ka thënë ajo.

Festimet e serbëve në veri ajo i ka quajtur si pasojë e një manipulimi që po ua bën atyre Serbia.

“Asociacioni absolutisht nuk do ta ketë asnjë kompetencë ekzekutive. Ajo vetëm do të ndihmojë komunat me shumicë serbe”, ka thënë Tahiri, përcjell Koha.net.

“Statuti i këtij Asociacioni do të hartohet nga Ministria e Pushtetit Lokal dhe grupi punues i cili është emëruar nga kjo Ministri në kuadër të bisedimeve. Ne do ta monitorojmë këtë proces”, ka thënë Tahiri.

Tahiri ka garantuar se Asociacioni nuk do të mund të bëhet kurrë “pushteti i tretë në Kosovë”.

“Pra nuk ka vend për shqetësim. Nuk bëhet fjalë për bosnjëzim të Kosovës”, ka thënë ajo. “Asociacioni nuk mund të ketë shërbyes civlë, por shërbyes të zakonshëm”.

Sa i përket Marrëveshjes për barrikadën mbi Ibër ajo ka thënë se Bashkimi Evropian e ka shtyrë zbatimin e marrëveshjes.

“Marrëveshja e re thotë se me 15 tetor të hiqet barrikada nga Bashkimi Evropian, bashkohet qyteti dhe ura prej një ure të ndarjes do të bëhet një urë e bashkimit. Menjëherë pas saj dite do të nis procesi i revitalizimit të urës nga BE-ja, e cila do të zgjasë deri në qershor të vitit 2016”, ka thënë Tahiri.

E kur ka folur për marrëveshjen për energji, ajo ka thënë se Serbia de facto ka njohur Republikën e Kosovës.

Sipas Tahirit, këto marrëveshje do të bëhen publike dhe se kjo është nën fuqinë e kryeministrit Mustafa, si nënshkrues dhe prijës i delegacionit. Por ajo ka thënë se ato nuk kanë nevojë për ratifikim në Kuvendin e Kosovës, meqë ky i fundit, sipas saj, tashmë ka miratuar atë që njihet si “normalizim i marrëdhënieve me Serbinë” dhe këto janë derivate të saj.

Në fund, Tahiri i është përgjigjur edhe Marko Gjuriqit, shef i zyrës për Kosovën në Republikën e Serbisë.

“Nëse ata e kanë ngatërruar me lojë futbolli atëherë kjo është mendësi e tyre, por unë ju them se këto marrëveshje e forcojnë sovranitetin e Kosovës”, ka thënë Tahiri.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.