Lajme Shqip Tuesday, 25 August 2015 08:59

Ish-kryeministri Sali Berisha gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët u bëri thirrje shqiptarëve të mos largohen nga vendi, jo vetëm se nuk do të marrin azil në Gjermani, por edhe sepse shpresa, pavarësisht situatës dëshpëruese, duhet rigjetur në vend.

“Eksperienca ime më thotë se në çdo lloj momenti një rreze shprese ekziston dhe atë duhet ta kërkosh. Ky vend do të dalë nga kjo spirale vetëm me një revolucion demokratik, me një lëvizje të fuqishme të qytetarëve shqiptarë, të cilët nuk largohen prej saj deri në momentin që kjo qeveri të arkivohet në histori. Me Edi Ramën nuk ka shpresë”, u shpreh ish-kryeministri.

Për sa i përket faktorit “Greqi”, që kryeministri ka artikuluar tani si vend të origjinës së azilkërkuesve shqiptarë, Sali Berisha i bëri thirrje Edi Ramës të veprojë përpara se Evropa të rikthejë regjimin e vizave për shqiptarët. “Greqia ka qenë në krizë të thellë edhe në vitin 2012 dhe në zyrat e azilkërkimit gjerman janë paraqitur vetëm 250 shqiptarë. Të marrë të gjitha përgjegjësitë. Të mbledhë urgjent qeverinë dhe të gjitha institucionet për të reaguar në lidhje me këtë çështje. Mendoj se në një të ardhme të afërt do të rikthehet sistemi i vizave. Ai është bërë problem sa Asadi me azilkërkues”, thotë Sali Berisha.

Sfida e refugjateve do të jetë një ndër çështjet e Samitit të Ballkanit Perëndimor në Vjene, por përveçse e sheh Shqipërinë dhe Kosovën në një pozicion të pafavorshëm për shkak të numrit të lartë të azilkërkuesve, ish-kryeministri shprehu shqetësimin edhe për projektet me të cilët po përfaqësohet Shqipëria në samit. Sipas Berishës, në listën e projekteve mungon ai më i rëndësishmi, i vetmi që shfrytëzon maksimalisht pozicionin strategjik të Shqipërisë, hekurudha që lidh Shqipërinë me Kosovën.