Ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq, beson se Serbia nëpërmjet kanaleve diplomatike do ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.
Ai ka thënë se do të aktivizohen që të kenë sa më shumë vende në anën e tyre që këtë gjë ta kundërshtojnë në nëntor të këtij viti.
“Një çështje është ligjshmëria e saj. Pra, nëse ne udhëhiqemi nga diçka që është në përputhje me Rezolutën 1244, atëherë sigurohuni se tema nuk do të jetë në gjendje për të ardhur në rend të ditës. Por për shkak se bota jonë është e mbushur me padrejtësi, sidomos kur bëhet fjalë për Serbinë, standardet e dyfishta, atëherë ne mund të presim që të ndodhë. Dhe opsioni i dytë, është se kjo temë është ende duke u vendosur në rendin e ditës së Këshillit Ekzekutiv të Konferencës së Përgjithshme në UNESCO, dhe pastaj ne do të duhemi të aktivizohemi dhe të bëjmë sa më shumë vende që do të jenë në anën tonë”, ka thënë Daçiq në një intervistë me Radio Beogradin, përcjell Kosovapress.
Daçiq po ashtu ka komentuar edhe sa i përket deklaratës së zëvendëskryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi, i cili ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në UNESCO është në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit.
“Hashim Thaçi gjithë e përdor si një përpjekje për ‘derën e pasme’, pa pëlqimin e Serbisë, dhe keqpërdor atë që ne kemi diskutuar dhe rënë dakord në Bruksel. Më shumë për këtë në Bruksel asnjëherë nuk është diskutuar. Tema e trashëgimisë kulturore serbe ende është një temë në rendin e ditës. Pa asnjë marrëveshje në Bruksel, ata kanë aplikuar për pranim në UNESCO. Është marrëveshje dredhi”, tha kreu i diplomacisë serbe.
Tuesday, 25 August 2015 08:01