Dy posterë që trajtojnë Prishtinën dhe një tjetër që reflekton mbi tragjedinë e 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë veprat me të cilat një artist nga Kosova do të prezantohet në “Javën e Dizajnit në Pekin”.
Posteri “Nine Eleven” i realizuar më 2012 dhe posterët “Prishtina City” dhe “Blade Perspective” të realizuar brenda këtij viti, do të prezantohen në ngjarjen e përvitshme që është shndërruar në një nga platformat kyç ndërkombëtare për dizajn në Kinë, shkruan sot Koha Ditore.
Rrezeart Galica është ftuar të prezantohet në ekspozitën e cila sivjet është “përthekuar” nën titullin “Qyteti”. Ekspozita do të hapet në galerinë “Capital Normal University” në Pekin të Kinës dhe do të qëndrojë e hapur brenda datave 23 shtator e 8 tetor.
Galica ka thënë se të ftuar për të prezantuar punimet e tyre në këtë ekspozitë janë pesëmbëdhjetë disenjatorë nga vende të ndryshme të botës.
Galica viteve 2000-2005 studioi në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës, Drejtimi i Dizajnit Grafik, ndërsa në vitet 2006-2008 kreu shkallën e tretë, ku magjistroi në këtë fakultet, në Drejtimin e Dizajnit Grafik, Departamenti i Multimedias.
Monday, 24 August 2015 09:54 

