Prej se ka nisur të zbatohet Marrëveshja për Lëvizje të Lirë mes Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht prej 12 gushtit 2015, kërkesat e drejtuesve të automjeteve në vend për t’u pajisur me targa KS, të cilat i ka lëshuar fillimisht administrata e UNMIK-ut, janë shtuar.
Kjo për faktin se me këto targa për të udhëtuar në Serbi duhet paguar vetëm polica e sigurimit TPL Plus që kushton 40 euro në vit dhe që e mbulon edhe Maqedoninë, përderisa lëvizja me targa RKS në territorin e Serbisë është shumë e shtrenjtë.
Me këto të fundit, përpos policës së sigurimit 40 euro, kosovarët detyrohen të paguajnë 16 euro vetëm me rastin e hyrjes në territorin e Serbisë për targat “Proba” dhe taksat komunale, plus 5 euro shtesë për çdo ditë qëndrimi në Serbi.
Në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës bëjnë të ditur për gazetën “Zëri” se prej 12 gushtit deri më 20 gusht 2015, rreth 300 qytetarë kosovarë janë pajisur me targa KS. /Zeri
Sunday, 23 August 2015 09:10