Dy vjet më parë, kreu i Apelit, Salih Mekaj, kishte marrë për obligim që privatisht të nxjerrë “borxhin” për nipin e tij, Asdren Mekaj, i cili ka ikur në SHBA, si i dyshuar të jetë pjesë e rrjetit të fajdexhinjve, grupi i cili është arrestuar më 28 prill të këtij vitit për fajde, detyrim dhe kanosje. Nëna e Asdren Mekajt është po ashtu gjyqtare në Gjykatën Themelore në Pejë, Nushe Mekaj.
Salih Mekaj me autoritetin e tij prej kreut të Apelit, kishte kërkuar takim me Zef Grudën nga Prizreni, qysh në vitin 2013, për ta bindur t’i paguajë 200 mijë euro nipit të tij, Asdrenit. Me një dokument, të nënshkruar te noterja në Shqipëri, Mekaj thotë se është argument i mjaftueshëm se djali i Zefit i ka borxh nipit të tij, dokument të cilin e posedon “Zëri”.
Zef Gruda thotë se dokumentin e nënshkruar te noterja, “ku djali i tij pranon se i ka borxh nipit të Mekajt”, ka qenë detyrim me forcë nga Asdren Mekaj. Madje Gruda dyshon se në këtë rrjet është e përfshirë edhe noterja, me vetë faktin që aq lehtësisht ka përpiluar një dokument të tillë kur përballë saj ka pasur një fëmijë që s’ka se si t’i ketë ato para.
“Si ka mundësi që noterja nuk ka pyetur se si një fëmijë ka blerë vetura në vlerë prej 200 mijë euro”, thotë Zef Gruda, teksa nis rrëfimin tmerrshëm, që tash sa vjet është duke e përjetuar me grupin e fajdexhinjve, të cilët e kanë futur në lojë djalin e tij, Pal Grudën, kur ishte vetëm 19 vjeç. “Në vitin 2010 dërgova djalin në studime në Tiranë, aty takohet me Asdren Mekajn dhe grupin e tij, ata i ofrojnë të bëhet aksionar në një lokal në Tiranë ‘Route 66’, duke i ofruar paratë e tyre 20 mijë euro dhe kjo ka mjaftuar ta fusin në lojë për të mos e lëshuar tash 5 vjet”, tregon për “Zërin”, Zef Gruda.
Grupi i fajdexhinjve, shumica e të cilëve tashmë të arrestuar: Kastriot Kqira, Marjan Kqira, Tunë Kqira, Gjon Kqira, Benson Buza, Besfort Omaj dhe njëri prej tyre me nofkën Gjekson, sipas Zef Grudës bashkë me Asdren Mekajn, i cili është në SHBA, kanë marrë nga familja e tij gati 1 milion euro. Sipas tij, ky grup e kishte ditur se babai i Palit tash 30 vjet merret me tregti me ari, ngaqë pjesa më e madhe e rrjetit, tashmë të arrestuar, janë nga Prizreni.
“Për 3 vjet me radhë nuk e kam ditur se ku ma kanë futur djalin, derisa një mik i imi më tregoi, shkova personalisht në Tiranë dhe e binda që të flasë”, tregon rrëfimin tronditës të tij, Zef Gruda. “Pranova që të paguaj për ta shpëtuar djalin dhe familjen. I kam të gjithë numrat e parave që ua kam dhënë”, flet Gruda teksa tregon një krah letra me shifra, data e nënshkrime.
Zef Gruda ua pagoi 1 milion euro fajdexhinjve
Gruda tregon numrat e 200 mijë erove që thotë se i ka dhënë Kastriot Kqirës. “Po ashtu edhe 100 mijë i kam dhënë Burim Shalës, 60 mijë Besfort Omajt. Kurse Pali u ka dhënë 150 mijë të tjera Kastriot Kqirës, rreth 400 mijë Asdren Mekajt, edhe 70 mijë Benson Buzës. Gati 1 milion euro dhe prapë nuk na lënë rehat”, tregon Zef Gruda. Ai thotë se kurrë s’do ta kishte besuar se në këtë lojë do të futet kreu i Gjykatës së Apelit”, thotë për “Zërin” Gruda. “Unë i kam thënë se si është e mundur që gjyqtari të bëjë këto lojëra, i kam kërkuar që ta arrestojë edhe djalin tim, edhe grupin e fajdexhinjve që të vijë deri tek e vërteta, por ai me dokument të falsifikuar të noteres në Shqipëri ka vazhduar të më kërkojë 200 mijë eurot”, thotë Gruda.
Takimi i fundit mes Zefit dhe Salihut është mbajtur në zyrat e Katedrales në Prishtinë, ku zyrtarët e saj kanë bërë përpjekje që të pajtojnë familjet pa e ditur se për çfarë rrjeti kriminal është duke u bërë fjalë, përpara se fajdexhinjtë të arrestoheshin.
Zëdhënësi i Ipeshkvisë, Don Fatmir Koliqi, sqaron se “ky ndërmjetësim pajtimi apo dialogu mes palëve nuk nënkupton, në asnjë mënyrë dhe asnjëherë, përfshirjen tonë në materien e konfliktit, por angazhimi ynë është në aspektin njerëzor për pajtim mes palëve që të mos shkaktohet një e keqe më e madhe. Në raste të veçanta këto ndërmjetësime për paqe dhe pajtim mes njerëzve, kanë natyrë delikate dhe janë shumë të vështira, por megjithatë nuk do të pushojmë asnjëherë që ta japim kontributin tonë për çdo rast konflikti kur palët na e kërkojnë”.
Nëna e Asdren Mekajt, gjyqtarja Nushe Mekaj, nuk i është përgjigjur thirrjeve të “Zërit” për të folur për rastin e djalit të saj. Kurse avokati i Salih Mekajt thotë se ai ka bërë ndërmjetësim familjar. “Mekaj para se të jetë zyrtar, ai është qytetar i lirë dhe në këtë rast ka ndërmjetësuar për familjarin e tij”, ka thënë avokati i tij, Rukiqi.
Friday, 07 August 2015 18:02