Lajme Shqip Friday, 07 August 2015 15:26

Policia në rajonin e Prizrenit ka njoftuar se mbrëmë, në intervalin kohor mes orës 21:10 dhe 01:50 ka ndodhur një vjedhje e rëndë në lagjen “Arbana” të këtij qyteti.

Hajnat kanë shfrytëzuar momentet kur në shtëpi nuk ishte asnjëri nga anëtarët e familjes për ta plaçkitur atë.

“Sipas hetuesve të policisë dhe krim teknikëve që kanë kryer hetime në vendin e ngjarjes thuhet se të dyshuar të panjohur kanë shfrytëzuar mungesën e familjarëve në shtëpi dhe nga një derë ballkoni të cilën e kanë thyer janë futur brenda me ç ‘rast kanë thyer edhe dyer tjera të dhomave në kërkim të gjësendeve të vlefshme”, ka thënë Hazir Berisha, zëdhënës i Policisë së Kosovës në rajonin e Prizrenit.

“Sipas pronarit të shtëpisë, janë vjedhur stoli të arta dhe një shumë e konsiderueshme e parave në të gatshme që i afrohet vlerës prej 24 000 eurove ndërsa nuk ka të dyshuar për këtë rast”, u shpreh Berisha.

“Policia apelon te qytetarët që mos t’i lënë shtëpitë pa përkujdesje e posaçërisht gjësendet e vlefshme, kur shkojnë në ahengje ose për pushime sepse lehtë mund të jenë cak i vjedhjeve dhe dëmtimeve në shtëpitë e tyre”, tha ai. /kallxo.com