Departamenti Amerikan i Shtetit e ka kontaktuar dje zëvendëskryeministrin e parë, Hashim Thaçin, njëherësh Ministër i Jashtëm i Kosovës për ta përgëzuar për angazhimin e tij personal dhe të Qeverisë së Kosovës në rrugën drejt integrimeve euroatlantike.
Indeksonline mëson se pas kalimit të amandamenteve kushtetuese që i hapin rrugë themelimit të Gjykatës Speciale, zëvendëskryeministri Thaçi është kontaktuar nga zëvendës-asistenti i Sekretarit të Departamentit të Shtetit për Europë dhe Azi, Hoyt Yee, dhe është përgëzuar nga ai për punën dhe angazhimin e tij në proceset që ndërlidhen me sfidat e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike, për lidershipin e treguar në procesin e themelimit të Gjykatës Speciale dhe, njëherësh, është siguruar nga zëvendës-asistenti Hoyt Yee, se edhe në të ardhmen SHBA-të do të punojnë ngushtë me Kosovën për proceset nëpër të cilat do t’i duhet t’i kalojë si shtet.
Ndërsa, sipas kabinetit të Thaçit, zëvendëskryeministri Thaçi e ka falënderuar zëvendës-asistentin e Sekretarit të Departamentit të Shtetit për Europë dhe Azi, Hoyt Yee, për mbështetjen e SHBA-ve në këtë proces dhe e ka siguruar atë se do të vazhdojë të koordinohet dhe të punojë ngushtë për të gjitha proceset që Kosova i ka përpara në rrugën e saj drejt integrimeve euroatlantike.
Wednesday, 05 August 2015 18:57