Festivali i filmave të shkurtër DOKUFEST do të hapet të shtunën në Prizren në Kino Lumbardhi me ç’rast do të prezantohet filmi “Those who see the fire burning” nga Morgan Knibbe, raporton TV Arta.
Kështu kanë bërë të ditur organizatorët e këtij festivali me ç’rast kanë prezantuar programin e plotë të edicionit të 14-të të festivalit, i cili do të mbahet nga data 8 deri më 16 gusht.
Sipas organizatorëve të enjten do të hapet ekspozita e edicionit të dymbëdhjetë të DOKUPHOTO.
Ekspozita do të prezantojë punën e fotografit nga Shqipëria Enri Canaj dhe fotografitë e tij të cilat dokumentojnë dëshpërimin e një grupi emigrantësh nga Siria të cilët arrijnë në bregdetin grek. Drejtori Artistik i DokuFest, Veton Nurkollari, ka thënë se po paraqet programin më të pasur të festivalit deri tani.
“Të zgjedhura nga një numër rekord i mbi 3 mijë aplikimeve, festivali do të prezantojë 228 filma nga 43 vende në 6 programe garuese dhe një numër të programeve speciale”, ka theksuar ai.
Tema e festivalit këtë vit është migrimi, konteksti i tij shoqëror global dhe lokal si dh e pasojat, të cilat do të theksohen dhe hulumtohen në një numër të aktiviteteve.
Wednesday, 05 August 2015 22:22