Lajme Shqip Tuesday, 04 August 2015 12:21

Një ngjarje e përgjakshme ka ndodhur dje në Ferizaj. Tre persona janë plagosur me armë zjarri nga një rreshter i Policisë së Kosovës, pas një mosmarrëveshje që ka plasur mes tyre.

Siç shpjegon majori Basri Shabani, i cili është zëvendësdrejtor i Policisë për rajonin e Ferizajt, ngjarja ka ndodhur në orën 04:00 të mëngjesit të sotëm.

Shabani tha për KosovaPress se i dyshuari është rreshter i Policisë së Kosovës në Lipjan dhe para restorantit “Montana” në Prelez të Ferizajt ka plagosur tre persona.

Policia thotë se e ka vërtetuar këtë çështje pasi polici kishte përdorur armën zyrtare.

Por, ngjarja nuk përfundon këtu. Tre të plagosurit janë dërguar në Emergjencën e Ferizajt dhe aty ka plasur edhe një sherr tjetër.

Pasi ka shkuar policia në Emergjencë për të nisur hetimet në lidhje me rastin, të plagosurit që ishin për ndihmë mjekësore në Emergjencë kanë rrahur dy policë.

Policia ka arritur të arrestojë dy të dyshuarit, ndërsa njëri ka ikur dhe është në arrati por i njohur për Policinë.

Siq shpjegon majori Basri Shabani, me rastin e Policit të Lipjanit është duke u marrë inspektorati i Policisë së Kosovës. Ndërsa, po kërkon edhe personin e tretë i cili është larguar, transmeton kp.