Lajme Shqip Tuesday, 04 August 2015 11:56

​“Bujanën e njihja prej 3-4 vjetësh. Të besosh se ditën që u aksidentua me vdekje kishte me vete në çantë 100 mijë euro, është tmerr. Kjo për faktin se ajo nuk kishte ku të gjente kaq shumë para.

Të besosh se bashkëshorti im e ka goditur apo dhunuar është gjithashtu tmerr. Burri im i mbijetoi aksidentit, por nuk mban mend asgjë. Akuzat e familjes Bushi janë të pabaza.

Gjithçka më ngjan si një film apo si një përrallë dhe që nuk ka asgjë të vërtetë”, kështu deklaroi dje Andoni Taçi, bashkëshortja e biznesmenit Kosta Taçi ose siç njihet ndryshe, Ramiz Avizllari, i cili mbeti i plagosur rëndë në aksidentin automobilistik që ndodhi mesditën e së enjtes që shkoi në Lekaj të Kavajës.

48-­vjeçarja dje foli për herë të parë për aksidentin në fjalë, ku humbi jetën 32-­vjeçarja Bujana Bushit.

Teksa ndodhej pranë të shoqit në spitalin rajonal të Durrësit, Andonia tha se nuk është aspak e vërtetë se viktima, e cila ishte e punësuar si ekonomiste në biznesin e familjes, të ketë pasur 100 mijë euro me vete.

Në një intervistë për “GSH”, Andoni Taçi tregoi me detaje se si e mori lajmin për aksidentin, ndërsa sqaroi se ishte në dijeni të faktit se burri i saj po udhëtonte për në Vlorë bashkë me Bujana Bushin për të mbyllur bilancin e dyqanit të tyre, pasi atë ditë ishte afati i fundit. Gjithashtu, 48-­vjeçarja hodhi poshtë të gjitha akuzat e familjarëve të viktimës.

 “Kam lexuar gazetën dhe e kam parë në TV. Jam shqetësuar shumë dhe jo vetëm unë, por të gjithë të afërmit. Ku i gjeti ajo 100 mijë euro? Ato janë shumë para për t’u marrë me vete. Nuk kanë nga të dalin kaq shumë para.Unë e di që çanta i është dorëzuar policisë. Unë kam lexuar një procesverbal të policisë për të gjitha sendet që u gjetën atë ditë brenda në makinë. Unë nuk kam parë çantë me sy. Të besosh që ajo kishte 100 mijë euro me vete është tmerr”, tha Andoni Taçi.