Vetëm një ditë para se të mbahet seanca për rivendosjen e masës së sigurisë ndaj kryetarit të suspenduar të Gjykatës së Apelit, Salih Mekaj, që dyshohet për keqpërdorim zyrtar, Prokuroria ka arsyetuar moscaktimin eventual të paraburgimit të tij.
Seanca për rivendosjen e masës së sigurisë pritet të mbahet të martën (sot). Ndërkohë që prokuroria po udhëheq hetimet ndaj Salih Mekajt dhe Vlora Goranit që dyshohen se janë të përfshirë në një aferë korrupsioni në një përgjigje të dhënë për gazetën ka thënë se paraburgimi është vetëm masë që siguron praninë e të pandehurit në procedurën penale, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Edhe në raste kur gjykata nuk pajtohet me caktimin e kësaj mase (të paraburgimit) hetimi vazhdon, pra nuk ndalet me moscaktimin e paraburgimit”, është përgjigjja e prokurorisë ndaj interesimit të gazetës për vlerësimin e saj në rast se ka akoma bazë për paraburgimin e Mekajt dhe Goranit.
Kjo masë është kërkuar nga prokurorja speciale, Drita Hajdari, në dyshimet se të pandehurit mund të arratisen, të ndikojnë në hetime apo t’i asgjësojnë provat.
Por Gjykata themelore me gjyqtarin Vehbi Kashtanjeva mbi bazën e të njëjtave dyshime i ka caktuar arrest shtëpiak prej një muaji dhe konfiskimin e pasaportave për të dy të pandehurit si masë sigurie.
Tuesday, 04 August 2015 08:05