Lajme Shqip Saturday, 01 August 2015 17:31

Gjykata Speciale nuk është kundër UÇK-së, por as nuk do ta pastrojë atë pasi që kjo ushtri ka qenë e pastër dhe do të mbetet e tillë.

Këtë konstatim e ka thënë deputeti Rrustem Mustafa, i cili, përmes një statusi në Facebook, ka arsyetuar këtë konstatim.

“Normalizimi institucional – bashkë me miq, do të prodhojmë rend, ligj dhe sistem të drejtësisë aq të nevojshëm për vendin. UÇK vlerë që ka prodhuar lirinë, bashkë me NATO-n. Gjykata Speciale hapë rrugën për zhvillim të vendit, nuk është kundër UÇK-së”, ka thënë ai në fillim të statusit të tij, raporton Koha.net.

Më tej, ai ka thënë se megjithëse ka zëra të shumtë që thonë se Gjykata Speciale do ta pastronte luftën e UÇK-së, asgjë nga kjo nuk është e vërtetë ngase, sipas tij, “UÇK ka qenë është dhe do të mbetet e pastër”.

“Gjykata nuk kushtëzohet me asnjë paqartësi, UÇK ka hapur rrugën për liri dhe perspektivë, ka fituar përkrahjen NATO-s dhe gjithë vendeve të qytetëruara botërore në rrugën e LIRISË… Tani mbetet të zhvillojmë lirinë dhe edukimin në hapësirat ku jetojmë bashkë me aleatët tanë”, ka shtuar më tej ish-komandant Remi.

Sipas tij, Gjykata Speciale do të funksionalizohet me synimin se do të ndihmojë në vendosjen e rendit e ligjit në vend duke ndihmuar zhvillimin dhe lirinë e duke sjellë vendime të drejta dhe të besueshme për tema të hapura apo të dyshimta mbi kohën e luftës, apo pas luftës.

“Të gjitha dyshimet mbi kohët e luftës do të mbyllen shpejt dhe mbarë. Më shumë gjykata do të ketë punë me vepra të dobëta kriminale, dhe ato që lidhen me krime ekonomike që kanë ndal zhvillimin ekonomik dhe politik të vendit”, ka thënë Remi, ndërsa shtoi se beson në “rrugën që kemi para nesh, se do ta rritim lirinë dhe do të dalim faqebardhë”.