Lajme Shqip Saturday, 01 August 2015 09:40

Aktorja kosovare, Lumnije Muçaj në një bisedë për KultPlus ka treguar për këtë projekt filmik që tashmë ka mbaruar edhe xhirimet. Sipas saj, pas një kohe shumë të gjatë asaj i është besuar roli kryesor në një film të madh si pasojë e asaj se aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës kanë qenë një njëfarë pensioni mëshire

Lumnije Muçaj është aktorja kosovare të cilës i është besuar roli kryesor në filmin e metrazhit të gjatë “Teuta”, me regji të regjisorit turk, Murat Vela Derman, film i cili tashmë ka përfunduar xhirimet.

Një periudhë e gjatë e ndanë aktoren kosovare nga projektet e mëdha, e cila, në një intervistë për KultPlus shpalosi pjesë nga puna e këtij projekti të rëndësishëm kinematografik.

 “Unë nuk kam pas ndonjë projekt nëpër duar. Sikurse e dini, qysh nga lufta e këndej, aktorët e trupës së TKK-së kanë qenë në njëfarë pensioni mëshire. Sepse, TKK, ka qenë një ‘tezgë’ e grupeve të interesit dhe është përdorur për përfitime të ulëta, por jo me qëllim të krijimit të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Besoj se gjërat do të ndryshojnë” , ka thënë Muçaj pas përfundimit të xhirimeve të këtij filmi që ka një rrëfim mjaftë të ndjeshëm.

Teuta është një grua fshati në kohë lufte. E martuar dhe me fëmijë. Me burrin në burg dhe vëllaun në UÇK. Jeton përskaj një komshiu serb, i cili e ka dashur atë qysh nga rinia, por Teuta asnjëherë nuk i ka dhënë shkas e as rast që t’i afrohet. Kur fillon lufta, komshiu serb, të cilin e luan Enver Petrovci, imponohet si ‘shpëtimtar’. E mbron familjen e Teutës nga bandat militare serbe, me një qëllim: që ta shtie atë në dorë. Kur nuk ia arrin ta përvetësoj me mirësjellje, atëherë atë e bënë me dhunë. Kunata e Teutës, të cilën e luan aktorja Xhejlane Terbunja, e sheh aktin e përdhunimit nga një distancë mjegullie dhe krijon përshtypjen se ajo po bën dashuri. Si lehoneshë në moshë të shtyrë, ajo madje udhëhiqet edhe nga një ndjenjë djallëzore hakmarrëse. E lajmëron të vëllaun në burg, të cilin e luan aktori Agron Shala, se gruaja po i flirton me komshiun serb. Dhe kështu fillon shkatërrimi i jetës së Teutës…

Duke pas parasysh krejt këtë heshtje kinematografike, oferta nga regjisori Derman ishte befasi edhe për vetë Muçaj.

 “Kisha dëgjuar se po xhirohet një film me produksion nga Turqia i cili trajton dramën e luftës së Kosovës dhe e dija se autor i skenarit të këtij filmi është aktori ynë i madh, Enver Petrovci. E dija se po kërkohej një aktore e moshës sime për rolin kryesor, por t’ju them të drejtën unë nuk i ndjek fort audicionet. Jam nga ata njerëz që besojnë se nëse dikujt vërtet i duhesh, ai do të të gjej. Madje unë kam qenë protagoniste e dy filmave që kanë bërë xhiro nëpër botë. Pra, nëse dikujt vërtet i duhesh, ai do të më gjej. Kështu ndodhi edhe me regjisorin turk, Murat Derman. Ai kishte kontaktuar e intervistuar shumë aktore të rajonit para se të më kontaktonte. Kishte parë edhe filmin “Anatema” dhe përfundimisht kishte vendosur që rolin e Teutës ta luaja unë”, deklaron Lumnije Muçaj.

Me gjithë faktin që Muçaj ka dëshmuar vetën që është një aktore mjaftë e arrire, ajo tregon se e kishte pasur pak të vështirë adaptimin në këtë projekt, duke pas parasysh gjuhën e komunikimit. “Ekipi turk, me përjashtim të Drejtorit të Fotografisë, nuk dinin anglisht e as shqip. Pra, gjithçka zhvillohej përmes përkthyesve dhe kjo metodë pune për mua ishte goxha problematike. Por si duket në raste të tilla, krijohet një gjuhë e tretë. Gjuha e intuitës , përmes së cilës mund të komunikojnë artistët që e gjakojnë të njëjtën gjë. Pastaj, regjisori Murat Derman, ka prejardhje shqiptare. Nuk e flet shqipen, por e ndjen. Kjo ishte një ndihmesë, padyshim. Sidoqoftë, ishte një bashkëpunim i veçantë dhe unë shfrytëzoj këtë rast që ta falënderoj zotin Derman. Megjithatë, dyshoj se shumëçka ka mbetur e pathënë, e parealizuar deri në fund për shkak të barrierave të komunikimit. Ndoshta edhe për shkak të koncepteve të ndryshme të botëkuptimeve artistike apo situatave të dy mentaliteteve, për shkak të etno-psikologjive të ndryshme”, shton me tej Muçaj.

Audienca filmdashëse ka ndjerë mungesën e prezencës në role kryesore të Lumnijes. Ajo lidhur me këtë thotë se është e vetëdijshme se ne të gjithë bashkë, po e jetojmë një kohë tranzicioni të pambarim. Sipas saj, në një kohë kur njerëzit përballen me ekzistencën, me braktisjen e atdheut, natyrisht që atëherë shuhen edhe ëndrrat.

 “Unë jam realiste. Nuk pres që gjërat të ndryshojnë me magji. Kurse vullnet të gjeneratës për t’i ndryshuar gjërat në të mirë, fatkeqësisht nuk ka. Në Kosovën tonë të dashur, gjërat e mira ndodhin rastësisht, koinçidencialisht. Pra, pa i planifikuar dhe pa punuar për ato. Në Kosovën tonë të dashur, nuk mund të planifikosh, sikur të jesh edhe vet Profeti Muhamed apo Jezu Krishti. Këtu gjërat ndodhin rastësisht. Nëse ndonjëherë ndodhin”, përfundon protagonistja e filmit “Teuta”, që njeherit është edhe ushtruese e detyrës së drejtoreshës së Teatrit kombëtar të Kosovës.

Filmi “Teuta”, është kooproduksion në mes të Kosovës dhe Turqisë, pasi që skenarist i këtij filmi është Enver Petrovci , ndërsa regjisori është nga Turqia, por me prejardhje kosovare, Murat Derman. Me rolet në këtë film luajnë aktorëtL Lumnije Muçaj, Enver Petrovci, Xhejlane Tërbunja, Agron Shala, Labinot Lajci, Selman Lokaj…, sikurse që janë përfshirë edhe shumë statistë /KultPlus.com