Disa nga citostatikët të cilët i blen Klinika e Onkologjisë së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) janë shumëfish më të shtrenjtë sesa çmimi i tyre në Britaninë e Madhe.
Në një raport të Bankës Botërorë me titull “Lista e barnave të Onkologjisë”, e punuar nga Ruth Leport, jepen hollësi për dallimet mes çmimeve në Kosovë dhe vendet tjera për citostatikë, për nevojën e ndryshimeve në politikat e prokurimit, në blerjen dhe shpërndarjen e barnave, si dhe në trajtimin e pacientëve.
Ampula chlorambucil sipas këtij raporti në Britaninë e Madhe kushton 1, 97 centë, ndërsa QKUK-ja të njëjtin produkt e blenë me 10 euro. Zelanda e Re, ndërkaq, këtë produkt e blenë për 0, 55 centë.
Një produkt tjetër që sipas raportit ka dallim të madh në çmim është ampula goserelin. Në Kosovë një ampulë e tillë blihet 390 euro, e njëjta në Britaninë e Madhe blihet 286 euro, ndërsa në Zelandën e Re çmimi i këtij produkti është 274, 98 euro. Tjetër produkt që ka dallim të madh në çmim është ibandrocid-tableta e cila në Britaninë e Madhe blihet 0, 50 centë, ndërsa sipas raportit të BB-së, Kosova e blenë 6 euro e Zelanda e Re nuk e ka fare në listën esenciale, shkruan Koha Ditore.
Saturday, 01 August 2015 08:33