Lajme Shqip Thursday, 30 July 2015 12:48

Duket se Kosovës mund t’i vështirësohet rruga drejt organizatës më të madhe botërore, atë të OKB-së.

Në fakt, ish-presidenti serb Boris Tadiq, pritet t’i bashkohet garës për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, shkruan “Vecernje Novosti”.

Sipas kësaj të përditshme beogradase, lideri i SDS-it tashmë ka filluar lobimin tek shtetet e fuqishme botërore për kandidaturën e tij, ku së fundi ka kërkuar edhe zyrtarisht mbështetjen e shtetit të Francës.

Në fakt, ditë më parë ministri i Jashtëm francez, Laurent Fabius u takua me paraardhësin e tij, Filip Dust Blazi, i cili shoqërohej nga Bozhidar Gjeliq, ish-zëvendëskryeministër i Serbisë, transmeton Telegrafi.

Blazi ka njoftuar pasardhësin e tij se ish-presidenti i Serbisë, Boris Tadiq synon që të pasojë në kreun e OKB-së, Ban Ki-moon, ndërsa kërkoi ndihmën e Parisit zyrtar.

Por, Tadiq nuk është i vetmi politikan serb që synon karrigen e të parit të OKB-së, pasi vitin e kaluar kandidaturën e tij e ka shpallur edhe ish-ministri i jashtëm serb, Vuk Jeremiq.