Lajme Shqip Wednesday, 29 July 2015 15:54

Pikërisht për të nxitur këtë lidhje, për të përfshirë shoqërinë, nëpërmjet biznesit, organizatave etj., në fushën e shkencës dhe inovacionit është krijuar një rrjet bashkëpunimi.

Projekti i shtrirë në Kosovë dhe Shqipëri ka përfshirë disa prej universiteteve publike dhe private në këtë rrjet, pasi u pa se bashkëpunimi dhe lidhja mes shoqërisë dhe akademisë në krijimin e inovacioneve të qëndrueshme dhe stimulimin e zhvillimit të qëndrueshëm mungonte, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë.

Ky bashkëpunim dhe rrjetëzim do të jetë i mundur përmes projektit “ConSus” (Connecting Science-Society Collaborations for Sustainability Innovations), projekt ky i financuar nga Programi Tempus (tani Erasmus+) i Komisionit Europian, dhe i implementuar nga një konsorcium me lider Universitetin e Graz-it në Austri.

Përmes këtij rrjeti, partnerët kanë për qëllim të ndikojnë në nxitjen e inovacioneve të qëndrueshme, duke ngritur kapacitetet e shoqërisë (bizneseve, organizatave joqeveritare dhe grupeve të tjera të interesit) përmes realizimit të projekteve të përbashkëta me aktorë në fushën e kërkimit shkencor, ofrimin e kurseve, trajnimeve dhe seminareve në zhvillim të qëndrueshëm dhe ndikimit në politika publike.

Këto konkluzione dolën nga takimi i parë i menaxhimit të projektit, i cili u mbajt pranë Universitetit Leuphana në Luneburg të Gjermanisë, ndërkohë që partnerët janë në fazën e identifikimit të aktorëve të interesuar për pjesëmarrje në këtë rrjet të rëndësishëm. Rrjeti për Inovacionin e Qëndrueshëm do të fillojë aktivitetin gjatë vitit 2015.

Partnerë në këtë projekt të rëndësishëm janë disa universitete europiane dhe të Kosovës e Shqipërisë, si Universiteti Leuphana në Gjermani, Universiteti BOKU në Vjenë, Universiteti Limerick në Irlandë, Universiteti Europian i Tiranës, Universiteti Polis, Universiteti Bujqësor i Tiranës, Universiteti “Aleksandër Moisiu” i Shqipërisë, si dhe Kolegji Universum, Kolegji Riinvest, Universiteti “Haxhi Zeka” në Kosovë. Instituti për Zhvillim të Politikave (INDEP) në Kosovë dhe Qendra për Studime të Krahasuara dhe Ndërkombëtare në Shqipëri janë Organizata të Shoqërisë Civile të përfshira në projekt.