Lajme Shqip Wednesday, 29 July 2015 10:19

Nuk ka më asnjë pengesë për projektin e Ipeshkvisë së Kosovës për ndërtimin e varrezave katolike në Llapushnik e mbase edhe të kishës katolike

Pasi që janë vetë banorët e këtij fshati, të besimit mysliman, të cilët nëpërmes një komunikate kanë njoftuar se është arritur marrëveshje në mes të banorëve të Llapushnikut që të mos protestojnë më kundër ndërtimit të varrezave katolike në këtë fshat, në afërsi të lagjes “Sopi”, banorët e së cilës janë konvertuar në katolikë.

Ramadan Gashi, përfaqësues i Komitetit të fshatit, ka thënë se banorët janë tërhequr nga protestat kundër punimeve për varrezat katolike në këtë fshat.

“Vendimi është marrë në mënyrë unanime që të mos protestohet kundër punimeve për rrethojat e varrezave për komunitetin katolik të fshatit Llapushnik, ndërsa për të gjitha paqartësitë procedurale ligjore, Komiteti i fshatit thërret Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Komunën e Drenasit që ta njoftojnë opinionin për anën ligjore të këtyre procedurave. Ne, si banorë të fshatit Llapushnik, vazhdojmë dhe do të punojmë për tolerancën dhe vëllazërinë që kemi trashëguar brez pas brezi”, thuhet në komunikatën e përfaqësuesit të Komitetit të fshatit, Ramadan Gashi. Zëri/