Lajme Shqip Wednesday, 29 July 2015 10:50

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës nuk është i kënaqur me transparencën që po e ofron aktualisht Komuna e Prishtinës. Kreu i këtij Asociacioni, Zekirja Shabani, ka thënë të martën se Komuna e Prishtinës po dëshmon të kundërtën e qeverisjes transparente të premtuar

“Prej ankesave që kemi pranuar nga kolegët gazetarë, përgjegjësit e këtij institucioni po ua pamundësojnë gazetarëve qasjen në informacion dhe shpesh veprojnë në mënyrë selektive, duke u kthyer përgjigje vetëm mediave që ata zgjedhin të bashkëpunojnë me to”, ka thënë Shabani.

Ai ka shtuar se AGK-ja i rikujton kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, për dakordimin për bashkëpunim lidhur me krijimin e kushteve për gazetarët dhe qasjen e pakufizuar në informacion.

“Liria e medias dhe transparenca janë shtylla të demokracisë dhe e drejtë që garantohet me ligjet e zbatueshme në vend”, ka përfunduar Shabani.

Kritika në këtë segment ka edhe gazetarja tjetër e KTV-së, që po ashtu e përcjell për një kohë të gjatë Komunën e Prishtinës, Rajmonda Zhdrella. “Komuna e Prishtinës ka kohë që provon të bëjë një centralizim me informatat që jepen vetëm prej ZMP-së”, ka thënë ajo për të shtuar se kjo qeverisje në fillim të mandatit vetë ka bërë rregullore, ndërsa tashti bëhen sikur e kanë harruar.

Ajo gjithashtu është e pakënaqur që gazetarët duhet të lajmërohen tek sporteli sa herë që shkojnë në ZMP. “Ajo duhet të jetë e hapur dhe e qasshme sa herë që ne duam”, ka thënë Zhdrella, sipas së cilës, edhe pse në ZMP janë dy punëtorë, “më lehtë merren informacionet nga kryetari, nënkryetari e disa drejtorë se nga vetë ZMP-ja.