Lajme Shqip Wednesday, 29 July 2015 10:46

Serbia, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia janë në “vijën e zjarrit” rus.

Ish-ambasadori shqiptar në Kosovë, Islam Lauka, në një analizë të tijën të botuar me vazhdime në “Epoka e re”, thekson se Rusia po investon në destabilizimin e Ballkanit, dhe këtë po e bën përmes aleatëve të saj në rajon, siç janë Serbia, Greqia, Mali i Zi, Maqedonia dhe elementi serb në Bosnje e Hecergovinë, transmeton lajmi.net.

Lauka në analizën e tij citon ekspertët e njohur të çështjeve ballkanike, Jean Arnault Derens dhe Laurent Geslin, të cilët sipas tij konstatojnë se Serbia, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia janë në “vijën e zjarrit” që ndan dy kampet.

“Nisur nga mentaliteti tipik i Luftës së Ftohtë, Moska e konsideron si humbje strategjike çdo hap pozitiv të këtij apo atij vendi ballkanik, në drejtim të integrimit euroatlantik. Dhe e kundërta, çdo vonesë e ngadalësim, çdo stepje apo ngecje e reformave që çojnë drejtë integrimeve euroatlantike të rajonit, nga ana e Moskës, perceptohet si avantazh strategjik i saj. Për të siguruar avantazhe të kësaj natyre, Kremlini përpiqet të shfrytëzojë “lodhjen nga zgjerimi” apo ndjenjat anti-zgjerim që kanë kapluar BE-në, si dhe forca ultra të djathta e ultra të majta në vende të ndryshme evropiane, që janë, jo vetëm kundër zgjerimit, por edhe kundër projektit evropian si ide”, shkruan Lauka në analizën e tij.

Tutje, ai vlerëson se gatishmëria e një pjese të forcave politike dhe elitave kushtetore në vende të veçanta ballkanike, si Serbia, Greqia, Mali i Zi, Maqedonaia, Bosnje e Hecergovina, për të flirtuar me Rusinë, ia lehtëson edhe më tej punën Moskës.

Si aleatë të saj në Ballkan, Moska preferon forcat anti-evropaine, anti amerikane dhe anti-NATO, pa ndonjë bosht ideologjik, ultra të djathta, ultra të majta, ose thjesht konservatore.

Në Serbi ajo mbështet Partinë Radikale Serbe, Lëvizjen për Serbi dhe Dyert Serbe. Në Bosnjë e Hecergovinë, Moska mbështet ultranacionalistin Milorad Dodik, në Kosovë radikalët serbë të Mitrovicës së Veriut, në Maqedoni, kryeministrin nacionalist, Nikolla Gruevski, në Greqi të majtët e Sirizës, në Bullgari Partinë ultra të djathtë “Ataka”, etj.

Sipas Laukës duket se Ballkani i mbushur me kriza, klientelizëm dhe kapje të shtetit, paraqet terren të favorshëm për realizimin e këtij objektivi, nga ana e Rusisë. Në situta të tilla, mund të bëjnë punë, sidomos paratë.

Rusia ka dëshmuar se është “bujare” në dhënien e parave, kur bëhet fjalë për korruptimin, në favor të saj të figurave të rëndësishme, në radhë e elitave kushtetore, financiare, por edhe atyre intelektuale.

Një instrument tjetër, që Rusia po e përdor me sukses në luftë për rikthimin e peshës së saj të dikurshëm në Ballkan, është edhe e drejta e vetos në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Është vetoja ruse ajo që bllokoi miratimin e planit të Ahtisarit në KS. Është vetoja ruse, që tash 7 vjet po bllokon anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe organizata tjera ndërkombëtare. Është vetoja ruse që bllokoi me 8 korrik 2015, miratimin e projektit të rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që dënonte gjenocidin serb në Srebrenicë.