Mbi 21 mijë objekte (21.647) janë ndërtuar pa leje në 4 komuna të rajonit të Prishtinës: Podujevë, Fushë-Kosovë, Obiliq e Graçanicë.
Drejtori i Planifikimit, Durim Salihu, ka thënë se ata nuk kanë ndonjë evidencë për numrin e objekteve në Komunën e Podujevës. Por, sipas tij, ata iu kanë referuar njësorëve të KEK-ut (tashti KEDS-i) për të nxjerrë numrin e tyre. Në bazë të kësaj, del se Podujeva ka më shumë se 14 mijë objekte të ndërtuara.
“Prej tyre, 3.500 objekte janë të pajisura me leje, që i bie se 10.500 janë pa leje. Ndërsa, kanë aplikuar për legalizime 4.600 qytetarë”, ka thënë Salihu.
Në bazë të kësaj, 5.900 objekte nuk iu kanë nënshtruar procesit për legalizime. Sipas Salihut, në bazë të ligjit, këto i nënshtrohen procesit për rrënime.
Numër i madh i atyre që kanë aplikuar për legalizim është edhe në Komunën e Fushë-Kosovës, e cila njihet për ndërtime të shumta kolektive. Sipas zëdhënësit, Ali Topalli, gjithsej ndërtime pa leje në këtë komunë janë 4.747, aq sa ka pasur edhe aplikacione. Por, Topalli thotë se janë 2.522 objekte që nuk kanë janë hyrë në procesin e legalizimit gjatë afateve që kanë qenë.
“Të gjitha objektet e ndërtuara deri më 23 gusht 2013 janë të përfshira në këtë listë. Objektet e ndërtuara pas kësaj date, për trajtimin e tyre, do të vendosë MMPH-ja. Objektet, të cilat nuk janë përfshirë në këtë proces, do të trajtohen sipas ligjeve në fuqi të Republikës së Kosovës, Ligji 04/L/188”, ka thënë Topalli.
E vetmja që nuk ka evidentuar ndërtime pa leje e që nuk kanë aplikuar për legalizim është Komuna e Obiliqit. Sipas zyrtarit të informimit, Adem Haliti, gjatë periudhës sa ka qenë koha për aplikime për objekte pa leje në Komunën e Obiliqit sipas listës së fundit janë evidentuar gjithsej 3.500 objekte, që përfshin qytetin dhe fshatrat.
“Pas përfundimit të afatit të aplikimit për legalizim, i cili ka përfunduar më 11.06.2015 nuk kemi rast të identifikuar të ndonjë objekti, i cili nuk ka aplikuar brenda afatit të paraparë ligjor. Për objektet, të cilat nuk janë të përfshira në listën përfundimtare të legalizimit, (Regjistri shtetëror, sipas Ligjit të trajtimit të ndërtimeve pa leje Nr. 04/L-188), gjithçka është e definuar në bazë të dispozitave të këtij ligjit”, ka theksuar Haliti.
Pak më pak objekte pa leje janë në Komunën e Graçanicës, si komunë e re. Sipas zyrës së informimit, të kësaj komune, deri në skadimin e afatit janë paraqitur gjithsej 2.900 kërkesa për legalizim objektesh të ndërtuara pa leje.
Duke iu referuar Departamentit të Urbanizmit, Planifikimit, Kadastrës dhe Mbrojtjes së Mjedisit, ZIP-i njofton se rreth 70 për qind e pronarëve të objekteve banesore dhe afariste në territorin e Graçanicës kanë aplikuar për legalizime.
“Për të hyrë në procesin e legalizimit nuk kanë aplikuar rreth 30 për qind e pronarëve të objekteve. Sipas përfaqësuesit të Departamentit të Urbanizmit, Planifikimit, Kadastrës dhe Mbrojtjes së Mjedisit, duke u bazuar në ligjin në fuqi, këto objekte hyjnë në procesin e rrënimit, por kjo çështje do të zgjidhet pas ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit të legalizimeve në Kuvendin e Kosovës”, thuhet në përgjigjet e Komunës së Graçanicës.
Friday, 24 July 2015 15:54