Lajme Shqip Friday, 24 July 2015 12:53

Lëvizja Vetëvendosje në Vushtrri mbajti një protestë para komunës, për shkak të mungesës së madhe të ujit me të cilën po përballet ky qytet.

“Komuna e Vushtrrisë vazhdon të përballet me mungesën e ujit të pijshëm në pjesën më të madhe të kohës, e cila ka rënduar tej mase jetesën e banorëve. Premtimet zgjedhore të partisë në pushtet, e veçanërisht të kryetarit Bajram Mulaku, vazhdojnë të mbesin premtime të parealizuara. Kryetari Mulaku ka fituar tri mandate të qeverisjes lokale me premtimin se do të ketë ujë të pijshëm 24 orë në ditë, ndërkohë që gjendja në qytetin tonë mbetet e pandryshuar”, theksoi aktivisti i VV-së, Naim Bunjaku, raporton Veriu.info.

Bunjaku tha se nga premtimi i fundit kanë kaluar afër dy vite, kurse nga premtimi i parë rreth tetë vite. Edhe pas tetë vitesh të qeverisjes së tij, gjendja e furnizimit me ujë të pijshëm mbetet e njëjtë, transmeton Veriu.info.

“Vushtrria nuk ka ujë. Andaj, pyetja që shtrojnë qytetarët e Vushtrrisë është: Kryetar, ku është uji?!”, tha Bunjaku i VV-së.