Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka prezantuar të dhënat e anketës me titull “Perceptimi i Qytetarëve lidhur me Besueshmërinë dhe Integritetin në Policinë e Kosovës”.
Qytetarët janë pyetur rreth besueshmërisë në institucionet politike, zbatimit të ligjit në vend, kërcënimet dhe rreziqet të cilat i kanosen vendit, përhapja e korrupsionit në institucionet e Kosovës, specifikisht institucionet e zbatimit të ligjit, si dhe mendimet e qytetarëve lidhur me përformancën dhe efikasitetin e Policisë së Kosovës në ofrimin e sigurisë, luftimin e krimit dhe korrupsionit në Kosovë. Sondazhi është realizuar gjatë muajit qershor dhe korrik 2015, me 1221 respondentë në mbarë territorin e Kosovës, transmeton express.
Sipas anketës, qytetarët e Kosovës kanë renditur Policinë e Kosovës si më të besuarën në vend, me 56 %, e pasuar nga sistemi i edukimit me 55 %, mediat me 41 % dhe organizatat e jo-qeveritare me 38 %.
Institucionet më pak të besueshme janë shfaqur Prokuroria me 24 %, sistemi i Drejtësisë me 27 %, etj.
Qytetarët janë pyetur edhe rreth perceptimit të tyre për një zyrtar të zakonshëm policor ku 29% e respodentëve e tyre e vlerësuan zyrtarin policor si person i kulturuar dhe i sjellshëm, ndërsa rreth 24% e tyre vlerësuan zyrtarin policor si zbatues dhe mbrojtës i ligjit, i pasuar 18 % të cilët i vlerësuan zyrtarët policorë si persona të korruptuar dhe jo-profesional.
Ndërsa, rreth pyetjes se a e konsideroni se niveli politik ka ndikim në punët operacionale të Policisë së Kosovës, 36 % e qytetarëve mendojnë se niveli politik ka shumë ndikim, i pasuar me 40 % të qytetarëve të cilët vlerësojnë se ndikimi politik është prezent deri në një masë në punët operacionale të policisë, si dhe 15% e qytetarëve vlerësuan se ndikimi politik është prezent në masë të vogël në punën operacionale të Policisë së Kosovës.
Qytetarët kanë dhënë perceptimet e tyre për institucionet më të korruptuara si dhe institucionet më pak të korruptuara. Si institucionet më të korruptuara i vlerësuan Inspektoratet e Tregut dhe Punës me 61 %, i pasuar nga sistemi i Drejtësisë me 62 % si dhe niveli komunal me 28%, doganat me 57 %, kurse institucionet më pak të korruptuara vlerësuan OJQ-të me 42%, mediat me 47 % dhe Policia e Kosovës me 53%.
Format më të shpeshta të korrupsionit në të cilat është e përfshirë Policia e Kosovës qytetarët vlerësuan marrjen e ryshfetit nga qytetarët me 45% e rasteve, e pasuar me nxjerrjen e dokumenteve nëpërmjet lidhjeve familjare me 13%, shitje të informacionit konfidencial nga ana e zyrtarëve policorë me 7%, si dhe vjedhje gjatë hetimeve të policisë me 4%.
Tek marrja e mitos nga zyrtarët policorë, 46 % e rasteve ishte bërë pasi që zyrtari policor kishte kërkuar mito nga qytetarët, kurse 47 % e rasteve ishin qytetarët të parët ata të cilët ofruan mito tek zyrtarët policorë.
Respondentët vlerësuan edhe rolin e Bashkimit Evropian si shumë të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit. Ata janë pyetur se në çfarë mënyrë BE mund të ndihmojë në luftën kundër korrupsionit në Kosovë, 28 % e respondentëve menduan se BE duhet të ushtrojë presion ndaj Qeverisë në luftën kundër korrupsionit, dhe të kushtëzohet mbështetja financiare e BE-së për Kosovën, me rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit.
Thursday, 23 July 2015 10:27