Nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Lulzim Kabashi, që njëherësh udhëheq edhe Degën e AAK-së në Prizren, përsëri ka theksuar se është i pakënaqur me disa zhvillime brenda qeverisjes lokale.
Ai ka pranuar se në fillim të mandatit ka bërë publike pakënaqësitë, që vazhdojnë edhe sot e kësaj dite në disa aspekte.
“Edhe sot kemi pakënaqësi, sepse nuk jemi të kënaqur me punën që është bërë deri më tani, pasi synojmë të punojmë më shumë”, ka thënë Kabashi gjatë një konference për shtyp, teksa ka veçuar si brengë kryesore mungesën e zhvillimit ekonomik dhe cilësinë e dobët të punimeve të realizuara me paratë publike, transmeton kohaditore.
“Pakënaqësia ime ka të bëjë me zhvillimin ekonomik. Jemi duke e bërë të pamundurën që ajo pika më e ndjeshme, që është papunësia, të zbutet sa më shumë.
Por pakënaqësia lidhet me moslicencimin e zonave ekonomike, sepse ato janë promotor i zhvillimit ekonomik, që të krijohet një siguri për të rinjtë që të ardhmen e vet ta shohin në Kosovë.
Komuna ka investuar rreth 600 mijë euro në infrastrukturën nëntokësore dhe mbitokësore në Parkun e Biznesit në Lubizhdë, por ka ngecur puna te licencimi, gjë që po varet prej qeverisë qendrore”, ka deklaruar Kabashi.
Wednesday, 22 July 2015 11:17