Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i ftuar në emisionin Rubikon të KTV-së, ka folur për projektet komunale që nga marrja e pushtetit, por edhe për telashet që i ka me opozitën në Kuvend, të cilin thotë se po e udhëheq dyshja Çelaj (PDK) dhe Hamiti (LDK).
Ahmeti thotë se dy partitë opozitare në Kuvendin Komunal të Prishtinës, po thotë se i udhëheqin dy individë: Sami Hamiti LDK-në, ndërsa Lirak Çelaj PDK-në.
“Të pyesim qytetarët se a janë për koalicionin Sami-Lirak apo për reforma”, ka pyetur Ahmeti, duke thënë se Lëvizja Vetëvendosje është për reforma në Komunë.
Duke folur për zgjedhjet të cilat e sollën atë në krye të kryeqytetit, Ahmeti ka thënë se PDK nuk më ka votuar mua, por elektorati i PDK-së.
Ahmeti tha më tej se edhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi i ka thënë se i kanë ndihmuar që të fitojë Prishtinën, por ai ka kujtuar deklaratën e Thaçit gjatë zgjedhjeve i cili, sipas Ahmetit, pati thënë: “Ali hoxha, hoxhë Alia”.
“Ata që e kanë votuar PDK-në në raundin e parë, më kanë votuar mua në raundin e dytë”, ka thënë mes tjerash Ahmeti, veprim të cilin e ka arsyetuar se qytetarët kanë dashur ndryshim.
Kryetari Shpend Ahmeti ka thënë përfundimisht se nuk do ta shkarkoj Liburn Aliun.
“Jo, nuk do ta shkarkoj. Edhe pse ka kërkesë për shkarkimin e tij, nuk do të veproj në këtë mënyrë. Kërkesën për shkarkimin e tij e kanë bërë ndërtuesit”, ka theksuar Ahmeti, duke shtuar se nga Selmani, Aliu është ngacmuar vazhdimisht.
“Liburni është njeriu më i pastër që njoh”, ka shtuar Ahmeti.
Ndërkaq, në lidhje me incidentin mes drejtorit Liburn Aliu dhe asambleistit të PDK-së, Muhamet Selmani, Ahmeti ka thënë se ndonëse incidenti ka ndodhur jashtë objektit të Komunës, prapë ndjen keqardhje.
“Unë askujt në Kuvendin Komunal nuk i them ‘kastravec’ e as me fjalë të ndyta të cilat nuk mund t’i them para publikut. Edhe Liburni edhe unë kemi shprehur keqardhjen për atë incident”, ka thënë Ahmeti.
Ahmeti ka thënë se në mesin e projekteve me të cilat krenohet deri më tani është ai i Termokosit, ndonëse është projekt i nisur nga qeverisja e kaluar e kryeqytetit.
“Besoj se qytetarët e kanë vënë re se sivjet ka pasur ngrohje më cilësore”, ka thënë Ahmeti, ndërsa ka theksuar se jo të gjitha idetë dhe projektet e nisura nga qeverisja e kaluar kanë qenë të këqija, raporton Koha.net.
Tuesday, 21 July 2015 21:40