Lajme Shqip Tuesday, 21 July 2015 16:12

Koalicioni qeverisës, PDK- LDK, i drejtuar nga Isa Mustafa e Hashim Thaçi, do të provojë që edhe njëherë ta vë në rend të ditës – në seancën e Kuvendit të Kosovës – amendamentin kushtetues që do t’i hapte rrugë themelimit të Gjykatës Speciale.

Sipas burimeve ndërkombëtare që folën për Gazetën Blic, Hashim Thaçi është zotuar tek ndërkombëtarët se do të bëjë përpjekje maksimale që t’i bind deputetët e tij që ta votojnë Specialen.

“Sipas të gjitha gjasave, të enjten edhe njëherë do të jetë para deputetëve amendamenti kushtetues, i cili do t’i hapte rrugë themelimit të Gjykatës Speciale”, ka thënë ky burim.

Sot është mbledhur Grupi Parlamentar i PDK-së, ku temë qendrore ka qenë pikërisht votimi i Gjykatës Speciale. Sipas burimeve të Gazetës Blic, në këtë mbledhje ende nuk është arritur pajtueshmëria për votimin e këtij amendamenti.