Procesi i rinumërimit të 439 vendvotimeve ka hyrë në fazën përfundimtare dhe në këtë mënyrë pritet që të përfundojë edhe i tërë procesi i shpalljes së rezultateve. Pavarësisht paralajmërimeve se një gjë e tillë mund të bëhet të enjten, në Qendrën e Numërimit të Rezultateve nuk e garantojnë një gjë të tillë për shkak të kompleksivitetit që ka procesi i rinumërimit. Koordinatori i QNR-së Burim Ahmetaj, ka arsyetuar mundësinë e mospublikimit të rezultateve përfundimtare deri ditën e enjte.
“Kryetarja e KQZ i ka paralajmëruar rezultatet përfundimtare për të enjten, mirëpo tash krejt varet prej volumit brenda kutive, pasi shumica e vendvotimeve janë me 300 apo 350 fletëvotime dhe ato marrin kohë më shumë, mirëpo kryesorja është që ne të mos e ndalim punën dhe më pas besojmë që deri të enjten do të përfundojë procesi dhe të bëhet shpallja e rezultateve përfundimtare”, ka thënë Ahmetaj. Ai ka bërë të ditur se puna do të vazhdojë pa u ndalur, ndërsa pas rinumërimit të tërësishëm të këtyre vendvotimeve do të bëhen krahasimet dhe analizat me numërimin e parë.
“Deri të premten në mbrëmje kemi rinumëruar 80 kuti, ndërsa procesi do të vazhdojë pa u ndalur. Dua të them se ende nuk i kemi bërë krahasimet nga numërimi i parë dhe rinumërimi, edhe pse KQZ i konsideron si rezultate finale votat e rinumëruara, mirëpo sidoqoftë krahasimet dhe analizat do t’i realizojmë pas rinumërimit të tërësishëm. Ne po punojmë intensivisht pa pauzë dhe puna duhet të vazhdojë”, ka thënë ai.
Sunday, 22 June 2014 13:04