Lajme Shqip Monday, 16 June 2014 11:09

Të shtëna armësh janë dëgjuar gjatë gjithë natës por edhe mëngjesin e sotëm në fshatin Lazarat të Gjirokastrës. 

Forca të shumta policie janë vendosur në hyrje të fshatit ndërkohë që dy postblloqe ndodhet në kufijtë e tij. Në kuadër të operacioneve antidrogë policia pritet të zhvillojë një aksion në Lazarat ku janë të pranishme edhe forcat RENEA. Operacioni drejtohet nga vet Drejtori i Policisë së Shtetit Artan Didi. 

Të shtënat e armëve nga ana e banorëve kanë filluar që prej mbrëmjes së djeshme pas dyshimit për një ndërhyrje të mundshme të policisë në këtë fshat.

Policia e Shtetit bën me dije se  një aksion i gjerë në Lazarat për asgjësimin e kanabisit ka nisur prej disa ditësh. Sipas policies në operacion ka pasur të shtëna me armë kundrejt efektikvëve nga persona të cilët tashmë janë identifikuar. 

Në këtë operacion janë përfshirë 500 efektivë të Gjirokastrës, RENEA, FNSH. Policia sqaron se operacioni për asgjësimin e kanabisit vazhdon ende ndërkohë që krahas tij po vazhdon operacioni për kapjen e autorëve të të shtënave. 

Sipas policisë të shtënat janë bërë nga banorë vendas por edhe të zonave përreth. Gjatë natës së djeshme sqaron policia ka pasur të shtëna me armë të rënda antitanik, mitraloz dhe mortaja. Policia bën me dije se autorët janë lokalizuar në banesën e Gate Mahmutaj, person me precedent penal. 

Policia sqaron se Mahmutaj ka qenë i dënuar me 22 vite burgim dhe ka përfituar nga amnistia. Ndërkohë bëhet me dije se po bashkëpunohet me prokurorinë e rrethit. Policia kërkon bashkëpunim edhe me pushtetin lokal. “Banorët të kontribuojnë për kapjen e autorëve”-bëhert apel nga Policia e Shtetit.

Lazarati, fshati i njohur për kultivimin e hashashit është përfolur shumë si nga mediat vendase dhe ato të huaja për mos ndërhyrjen e policisë. Vetëm pak ditë më parë një nga websitet informative greke, Newsit.gr, ka shkruar se përgjatë kufirit shqiptaro-grek është ndezur një luftë e pashpallur midis policisë dhe trafikantëve të drogës. 

“Kultivimi dhe trafikimi i hashashit rritet vit pas viti në fshatin Lazarat, përkundër thirrjeve të vazhdueshme të qeverisë për të ndaluar kultivimin e drogës, si një pengesë e të ardhmes së vendit në BE”- shkruhej në artikullin e këtij website. 

Ndërkohë Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe kreu i Policisë, Artan Didi kanë paralajmëruar aksione në Lazarat. Didi në një prononcim të fundit u shpreh se dhe në Lazarat vijon kontrolli policor ashtu sikundër në çdo zonë rurale të vendit.

POLICIA: NUK TËRHIQEMI NGA AKSIONI 
Ora 09:25-Burime konfidenciale nga policia bëjnë me dije për News 24 se nuk do të tërhiqen nga operacioni në Lazarat deri në asgjësimin e plotë të parcelave me kanabis dhe kapjen e personave që kanë shtënë me armë në drejtim të efektivëve të policisë. Operacioni ka vazhduar përgjatë gjithë natës. Të njëjtat burime bëjnë me dijes e efektivët e policisë kanë hyrë në pjesën e poshtme të Lazaratit. Ndërkohë theksohet se aksionio do të vazhdojë edhe në ditët në vijim. 

KRYEKOMUNARI I LAZARATIT DASHO ALIKO: JAM NË TERREN 
Ora 09:00- Në një prononcim të shkurtër për News 24 Kryetari i Komunës së Lazaratit Dasho Aliko është shprehur se nuk mund të japë detaje lidhur me operacionin që po zhvillohet sepse ndodhet në terren. “Nuk jam disponibël në këtë moment sepse jam në terren”- u shpreh Aliko.

POLICIA E SHTETIT JEP DETAJE PER OPERACIONIN NE LAZARAT 
Strukturat e Policisë së Shtetit në kuadër të masave të marra për identifikimin e asgjesimin e sipërfaqeve të kultivuara me bimë narkotike, prej disa ditësh kanë ndërmarrë një operacion në shkallë të gjërë në fshatin Lazarat për asgjesimin e një sipërfaqe të identifikuar të kultivuar me kanabis sativa. 

Gjatë veprimeve të ndërmarra nga strukturat e Policisë së Shtetit në kuadër të këtij operacioni nga një grup personash të identifikuar është qëlluar me armë zjarri në drejtim të forcave të policisë, ku si pasojë e të shtënave kundër këtyre forcave, mbeti i plagosur dhe një 45 vjeҫar, banor i fshatit Lazarat. 

Strukturat e Policisë së Shtetit, përkatësisht forca të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër të mbështetura dhe nga forcat speciale RENEA dhe forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë po vijojnë veprimet, me qëllim asgjesimin e sipërfaqes së identifikuar të kultivuar me bimë nakotike kanabis sativa dhe kapjen e personave që qëlluan në drejtim të forcave të policisë, disa banorë të fshatit dhe disa nga zona të tjera. 

Në drejtim të forcave pjesëmarrëse në operacion prej mbrëmjes së djeshme po vijon të qëllohet me armë zjarri nga ky grup personash, duke përdorur dhe armë të rënda si antitank, mitroloz i rëndë e i lehtë, mortaja etj. 

Nga vepiemt e ndërmarra është identifikuar vendi, prej nga ky grup personash po qëllon me armë zjarri, ku janë lokalizuar në banesën e shtetasit Gate Mahmutaj, person me precedentë kriminalë, i arrestuar nga forcat RENEA, i dënuar me vendim gjykate dhe i falur më pas nga Presidenti i Republikës. 

Nga strukturat e Policisë së Shtetit në kuadër të këtij operacioni po bashkëpunohet me Prokurorinë e rrethit. 
Po ashtu është kërkuar bashkëpunimi i pushtetit lokal dhe i banorëve të fshatit Lazarat, që të distancohen nga ky grup personash dhe të japin kontributin e tyre në drejtim të kapjes së këtyre personave. 

Policia e Shtetit po vijon me masat e ndërmarra në kuadër të këtij operacioni.
 
(a.n/BalkanWeb)