Lajme Shqip Monday, 14 April 2014 13:02

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një vizitë 2-ditore në Katar, me ftesë të kryeministrit të Katarit Sheikut Abdullah Bin Nasser Al Thani. Kryeministri gjatë vizitës së tij zhvilloi një sërë takimesh me përfaqësues të lartë të këtij shteti, ku u diskutua në lidhje me bashkëpunimin mes dy vendeve në fusha të ndryshme, gjithashtu u nënshkruan dhe disa marrëveshje mes dy vendeve.  

Rama  takua me kryetarin e Këshillit Konsultativ të Katarit, Muhamed bin Mubarak Al Khulaifi, si edhe u prit në një takim të posaçëm nga Kryeministri i Katarit, Sheiku Abdullah Bin Nasser Al Thani. Në përfundim të takimit me kryeministrin e Katarit, ministri i Jashtëm Bushati firmosi në emër të delegacionit shqiptar dy marrëveshje me qeverinë e Katarit, “Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shtetit të Katarit për bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë”. Gjithashtu u nënshkrua edhe “Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shtetit të Katarit në lidhje me rregulloren e punësimit të fuqisë punëtore në Shtetin e Katarit”. Kjo marrëveshje do të rregullojë punësimin e shtetasve shqiptarë në Katar.  

Gjithashtu, kryeministri shqiptar u taku edhe me përfaqësues të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Katarit Sheikun Khalifa bin Jassem bin Mohammed Al Thani, si edhe me ministrin e Shtetit dhe CEO e Autoritetit të Investimeve të Katarit, z. Ahmad M. Al-Sayed. Gjatë takimit mes dy zyrtarëve u diskutuan për nxitjen e tregtisë dhe shkëmbimin  ekonomik mes dy vendeve, gjithashtu u fol për projekte të ndryshme në fushat e energjisë, turizmit dhe bujqësisë.

Kryeministri Edi Rama u prit në një takim të veçantë edhe nga Emiri i Katarit, Lartësia e Tij, Sheiku Tamim bin Hamad Al Thani. Gjatë këtij takimi u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit në fushat e turizmit dhe bujqësisë. Me interes të veçante u pa edhe bashkëpunimi në fushën e transportit ajror, ku “Qatar Airways” është një nga linjat kryesore në këtë sektor. Emiri i Katar u shpreh gjithashtu i gatshëm për të mirëpritur më shumë shqiptarë në Katar, të cilët mund të punësohen kryesisht në shërbimin shëndetësor, arsimor dhe ndërtim.

Gjatë kësaj vizite ai u shoqërua nga ministri i Jashtëm Bushati, ministri i Zhvillimit Ekonomik Ahmetaj, Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Haxhinasto, ministria e Turizmit Gjermeni, nga deputetët Shalsi dhe Kushi, si dhe kryetarët e bashkive, të Durrësit e Lezhës, Vangjush Dako dhe Viktor Tusha.