Lajme Shqip Sunday, 30 March 2014 15:26

Në Shkodër nisi sot konkursi për Muzeun Marubi. Në fjalën e hapjes, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro tha se fonoteka Marubu është një pasuri e të gjithë shqiptarëve.

Ndërsa kryeministri Rama, gjatë fjalës së tij, tha se fototeka e Marubit duhet të zhvendoset nga vendi i papërshtatshëm në të cilin ndodhet. Sipas tij, kjo fototekë meriton një muze dhe jo të qëndrojë në kushte të mjerueshme, raporton shekulli.

 “Me pasion dhe me vullnet që na tregoi gjendjen e mjeruar që ishin lënë gjithë pjesët e çmuara të këtij thesari, veç vetëm nga përpjekjet individuale të disa personave. Ta kalojnë thesarin nga vendi krejt i papërshtatshëm në vendin që meriton. 

 Në një hapësirë të projektuar nga një prej figurave më të shkëlqyera Kolë Idromeno. Përgëzoj Ministren e Kulturës, për mbërritjen kaq shpejt në këtë stacion. E kishim parashikuar brenda 300 ditëve të para të qeverisë. Donim të garantonim këtë cilësi, dhe ja arritëm.

Sot në kaq pak kohë, janë blerë të gjitha aparaturat, është përgatitur ekipi teknink për të filluar dixhitalizimin e veprës së Marubit. Deri në ditët tona ka ardhur i dëmtuar por që ka akoma për t’ju thënë brezave që do të vijnë. Me ministren ndajmë bindjen, se me 1 km asfalt më pak dhe një thesar të shpëtuar, se kaq kushton shpëtimi, bëjmë më tepër rrugë.

Qeveria është shumë e vendosur që çdo vit të rrisim volumin e të mirave materiale që do të shpenzojmë për trashëgimin kulturore. Ne besojmë se duke bërë hapa si ky sot, bëjmë të mundur rritjen e dinjitetit kombëtar dhe forcimin e dinjitetit evropian. Marubët kanë drithëruar botën kur kanë dalë në sy të ekspertëve të huaj”, tha ai.

Veprat që do të tregonin patriotizmin tonë mungojnë siç mungon një muze dinjitoz për Marubët. Këtë muze si akt të patriotizmit dhe si fillim i një rruge të re për Shkodrën. Janë thënë shumë fjalë por pak është bërë për të ruajtur vlerat e saj kulturore, që Shkodra i ka fatkeqësisht të dëmtuar, por që ende mund të shpëtohen”, deklaroi kryeministri Edi Rama.

Pjesë e Ministrisë së Kulturës është edhe një rivlerësim i veprave kulturore të Shkodrës. Ne kemi bindjen se rrisim cilësinë e jetës së komunitetit. Ky projekt pavarësisht se është i vogël ka një fuqi për të rritur ekonominë e qytetit”, tha ai.

Në përfundim të fjalës së tij kryeministri Rama, shtoi se shpëtimi i thesarit të Marubit ka vlera të mëdha pasi sipas tij shpëtohet thesar i gjithë Evropës. 

 

“Vlerat e këtij projekti janë shumë të mëdha. Kjo pasi ne duke shpëtuar thesarin e marubëve, shpëtojmë jo vetëm thesarin e Shqipërisë, por shpëtojmë thesarin e gjithë Evropës”, përfundoi kryeministri.  

Kumbaro:  Xhevahir i kulturës shqiptare

“Me këtë muze të Marubit ne synojmë që të shtojmë vlerat e kulturës sonë, pasi jo vetëm Marubi, por edhe Shkodra është një xhevahir në kurorën e kulturës shqiptare.

Sot do të prezantohen pesë projekte, për të mundësuar restaurimin e “Marubit”. Këto pesë projekte dolën nga gara e parë ku morën pjesë 26 propozime nga 8 vende të botës. Sot ne kemi idetë dhe teknologjitë më bashkëkohore për të vlerësuar Marubin. Kjo është rruga e progresit në kulturë, që na dëfton vlerat e Shkodrës dhe të pinjollëve të shquar shkodranë.

Kjo rrugë progresi i jep dinjitet krenarisë sonë për thesaret e kulturës shqiptare. Ministria e Kulturës është e angazhuar për t’i mbrojtur dhe për t’i kthyer dinjitetin e merituar trashëgimisë kulturore. Në përfundim të këtij muzeu, thesarin e fototekës Marubi ne synojmë ta regjistrojmë në thesaret e trashëgimisë botërore të UNESCO-s”, tha Kumbaro.

Pas fjalës së ministres së kulturës nisi edhe prezantimi i studiove që marrin pjesë në këtë konkurs. Kjo është faza e fundit e përzgjedhjes së projekteve fituese për projektin e restaurimit të Fototekës Kombëtare Marubi.

Më herët, para se të niste ceremonia, kryeministri Rama reagoi edhe në “Facebook” për konkursin e sotëm. “Konkursi ndërkombëtar për muzeun Marubi në Shkodër. Më në fund, thesari i Marubëve do të dalë nga burgu i harresës dhe lagështirës”, shkruan kryeministri në profilin e tij në “Facebook”.