Kuvendi e ka nisur seancën e sotme kuvendore me debate lidhur me të larguarit nga puna dhe për të afërmit e politikanëve të punësuar në administratë
Seanca e sotme kuvendore ka nisur me debate të ashpra mes mazhrancës dhe opozitës, pas shtyrjes tjetër të ndryshimeve në ligjin “Për nëpunësin civil”. Deputetja e PD-së, Majlinda Bregu, akuzoi kreun e Kuvendit se gjithmonë kur ka çështje që prekin qytetarët gjendet një mënyrë për të shtyrë ligjet, ndërsa kërkoi të mos ndalohen ministrat të japin shpjegime për të larguarit nga puna.
Gjithashtu, Bregu në nisje të seancës së Kuvendit, kërkoi që kjo sallë të mos bëhet më arena e përdorimit të një fjalori të ulët. “Me sa shoh në procesverbalin e javës së kaluar nuk është pasqyruar presioni dhe fjalori i ulët në sallën e Kuvendit, mospërmbajtja dhe mos respektimi i etikës nga kryeministri, nuk di në të them mirë ke bërë, që ky turp të mos ngelet i shkruar. Ju them të ndaloni me rreptësi atë që ndodhi javën e kaluar”, tha Bregu.
Bregu më tej kërkoi që të lejohen ministrat të japin shpjegime për të larguarit nga puna. Madje sipas saj, edhe vetë kryeministri Rama duhet të përgjigjet “para atyre njerëzve që protestojnë sërish sot para Kuvendit”.
“Farefisi mbahet me rrogat e shtetit”
Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito, u shpreh se përgjigjen mbi administratën publike është marrë në datën 11 mars, me gjithë të dhënat e disponueshme për nëpunësin civil.
“Flisni për 7 mijë vetë të larguar, unë ju kam kërkuar nga dalin këto të dhëna. Partnerët ndërkombëtarë ju kanë kërkuar listat. E gjithë kjo është vetëm një demagogji, këto të dhëna nuk ekzistojnë. Jeni të shqetësuar për listat me 700 mijë persona që thoni ju apo për listat e familjeve tuaja”,- tha Hartio, duke përmendur disa emra të të afërmeve të deputetëve të PD-së që mbajnë posto në administratën publike.
“Kunata pa fund. Të gjithë gratë, kunatat, kalamajtë tuaj në ministria. Farefisi mbahet me rrogat e shtetit. Për kë jeni të shqetësuar për demokratët apo për të vendosur kudo familjarët tuaj?”, u shpreh Harito.
Rama u kërkon falje qytetarëve për shkeljen e etikës
Gjatë kohës që kryeministri Edi Rama e mori fjalën, opozita ka nisur të bëjë zhurmë duke trokitur me maus dhe duar në tavolina. Që në fillim të fjalës së tij Rama e pranoi se, ka shkelur etikën seancën e kaluar dhe për këtë u kërkoi ndjesë qytetarëve.
“Keni të drejtë kur thoni se kur dilni në këtë foltore nuk duhet të shqetësoheni nga fjalët mbrapa, kjo nuk do ndodhi më. Ju keni të drejtë kur thoni se dhe unë në seancën e kaluar e shkela etikën, është e vërtetë, por me një dallim shumë të madh, thjesht ndava me kolegët e mi një moment emocional që megjithatë ju keni të drejtë kur thoni që pikërisht se ne jemi ndryshe nga ju ne nuk duhet të bëjmë si ju.
Dua t’ju kërkoj ndjesë të gjithë atyre që janë ndjerë të bezdisur nga transkriptimet e ekranit tuaj. Transkriptime shumë hileqare, por që nuk justifikojnë kryeministrin. Pavarësisht nëse u thanë me zë apo u mërmëritën pa zë.
Pas kësaj ndjese për të gjithë ata që janë ndjerë të mërzitur apo të shqetësuar qoftë nga unë apo nga ne që presim dhe mundohemi t’jua japim përditë dua t’ju them ca gjëra lidhur me etikën. Etika shkelet sa herë e merr fjalën kryeplaku juaj dhe zonja e ulur në krah të kryeplakut tuaj. Kryeplak nuk është fjalë fyese por vend pune”,- u shpreh Kryeministri.
Një tentativë e kryeministrit Edi Rama për të sqaruar ish-kryeparlamentaren Topalli se, PD-ja nuk është fundërrinë, por mbeturinë e komunizmit, është pritur me ovacione nga opozita, përplasje tavoline dhe mausi, duke e përcjellë fjalimin e Ramës deri në fund.
“Sa i takon fundërrinave të komunizmit. Unë nuk kam thënë kështu por që ju me vijën tuaj të sjelljes e qasjes jeni mbeturina të komunizmit si force. Dhe dallimi i madh mes nesh e jush është se ne nuk hyjmë në jetën tuaj private ndërsa ju nuk bëni asgjë tjetër përmes kryeplakut tuaj që veç se hyni në jetën private të kundërshtarëve bëni të prodhoni kulturën tuaj politike. Ju ka imponuar një shërbëtor servil. Partia që ju përfaqësoni është mbeturinë e komunizmit”, u shpreh Rama.
Berisha: Të diskutohet marrëveshja me FMN-në
Ndërkaq ish-kryeministri ,Berisha akuzoi qeverinë për vendime krejtësisht të papërgjegjshme, duke kërkuar të diskutohet në Kuvend marrëveshja me FMN-në. Berisha tha se marrëveshja me FMN-në është fryt i mashtrimit të ekipit qeveritar.
“Marrëveshja e fshehtë me FMN, me të cilën ju përpiqeni të fajësoni FMN në mënyrën më djallëzore për rritjen e 10 taksave dhe 2 çmimeve, përbën një gjëmë të vërtetë për të gjithë qytetarët shqiptarë të cilët ata unë sot dua ti garantojë, se ajo marrëveshje në mënyrë absolute nuk është vepër e FMN. Jo, askush nuk ka negociuar në një vend më shumë se unë me Fondin dhe Fondi nuk imponon kurrë. Fondi kërkon negociatorë, por kur i vë përpara njerëz të cilët vendimet i marrin mbi bazën e iluzioneve dhe irrealitetit është i detyruar të shtrojë parashikimet e tij.
Ajo marrëveshje është fryt kryekëput i injorancës totale, mashtrimit dhe papërgjegjshmërisë i ekipit qeveritar. Ju more zoti Kryeministër po luani me këtë vend në mënyrën më të paimagjinueshme. Ju morët një model të cilin ju kishit tërësisht të drejtë të ndërhynit, ta modifikonit sipas pikëpamjeve tuaja. Por çfarë bëtë? Ju mohuat këtë model dhe në momentin më kyç ju rritët borxhin, rritët deficitin, rritët shpenzimet, gjithçka e bazuat mbi mashtrimin dhe tani mbi këtë model mashtrimi do detyroni të paguajnë shqiptarët sa frëngu pulën.
U premtuat shqiptarëve se do ulim taksat për 95% të shqiptarëve, por po rrisni taksat për 100% të shqiptarëve. Ju premtuat shqiptarëve për heqjen e TVSH së energjisë por po rrisni çmimin e energjisë. Ju premtuat shqiptarëve legalizimin falas. Dje kryekreu juaj deklaroi se shumica e legalizimeve janë bërë të korruptuara, i them zotërisë se secili prej atyre që ka legalizuar shtëpinë është 1000 herë më i ndershëm se ti dhe anturazhi yt. Asnjëri prej tyre nuk ka ndërtuar një pallat 5-katësh me para të paditura si ti, s’ka ndërtuar vilë 57 metra. Ata kanë derdhur lumenj djerse dhe kërkoji të falur publike ndaj tyre. Ata do legalizohen me 1 euro dhe unë pot ë garantoj se mashtrimi i tyre do të kushtojë ty sa frëngu pulën. Se mendon ti se janë liliputë ata që mund ti shkelmosh e të bësh ç’të duash? Ata i kanë dhënë vendit një energji të jashtëzakonshme.
Vetëm në periferi të Tiranës ata kanë krijuar në 20 vite qytetin e 6-të të vendit, qytetin e 9-të më të madh të vendit, këto kanë bërë ata. Pra ata janë të ndershëm. Ja u morët votat se do i legalizonit falas por këtu në Parlament do i keni se nuk janë burra që gënjehen kollaj ata, nuk janë burra që mashtrohen ata, nuk janë burra të cilëve mund ti merrni votën e ti shkelmoni nga mbrapa. Tani do i legalizoni falas. Se kur ju thosha unë se nuk falet toka e tjetrit zotëria u thoshte “Falas legalizimi”.
Tani ose do e bëni falas ose do ta bëjnë falas ata pastaj. Njëra nga të dyja, mos luaj me ta. Se kanë burrëri ata, kanë fjalë ata. Të kanë dhënë votën. Pra këto janë problemet e mëdha të Parlamentit. Marrëveshje e cila parashikon largim masiv të investitorëve. A e shihni ju se çfarë ndodh apo ju jeni ngrohur se merrni ato rrogat dhe s’pyesni më për zgjedhësit? Një sukses të jashtëzakonshëm që pati vendi, përpiqeni ta zhbëni me çdo kusht. Pra, ju, të cilët rrini kaq të qetë për fatin e zgjedhësve tuaj, a e kuptoni ç’po ndodh me ta apo jo, a e kuptoni që ju po u shkatërroni çdo ditë vendet e punës?”,- u shpreh Berisha.
Balla: Berisha ke shkelur etikën, të përjashtohet nga Kuvendi
Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha se deputeti i djathtë Sali Berisha e tepron me fjalorin e tij dhe për këtë të përjashtohet për 21 ditë nga Kuvendi.
“Do ishte e udhës që çdo deputet t’i referohej procesverbalit të seancës së shkuar plenare dhe fjalëve të deputetit Berisha si, fytyrëpalarë, zhuls, gomar lakuriq tek liqeni, ordiner etje. Me këto fjalë përjashtohesh nga seanca plenare. Të biem dakord që nuk duhet lejuar të shkeli në mënyrë flagrante rregulloren e Kuvendit. Fjalët e Berishës janë të papranueshme dhe si të tilla zotëria ka dy alternativa, ose ti tërheqë ose ta largoni nga seanca për 21 ditë”.
Ndërsa, ai iu drejtua ish-kryetares së Kuvendit Topalli, duke i thënë se ajo është e fundit që duhet të flasë për fjalor e nepotizëm.
“Po zhelet i harrove si s’të vjen turp ty e para që të marrësh fjalën dhe të kërkosh llogari, ti që 8 vjet e ke shpërdoruar atë pozitë. Kush flet për nepotizëm, kujtoni se keni pasur qeveri, qeveria ishte familja. Ti flet për nepotizëm, kur ambasadat i mbushët plot, pse nuk flet për dhëndrin tënd që të ishte në ambasadën e Francës po vëllanë tënd që të ishte konsull në Milano”, nënvizoi Balla.
Topalli: Në cilin vend ndodh që kryeministri dhe ministrja të jenë kushërinj
Ndaj akuzave të Haritos ka reaguar edhe deputetja e PD-së, Jozefina Topalli, duke thënë se në asnjë vend nuk ndodh që kryeministri dhe ministrja të jenë kushërinj.
“Zoti kryetar, në mënyrë të veçantë njeriu pret nga gratë më shumë dinjitet. Por, kur dëgjon një zonjë se flet me arrogancë është e turpshme. Unë dua t’i drejtojë një pyetje qytetarëve shqiptar se, në cilin vend ndodh që në qeveria të jetë kryeministri dhe ministrja kushërinj?! Më thoni se, në cilin vend të botës ndodh?! Qe në të njëjtën qeveri të punojnë njerëz me lidhje apo farefisni?! Janë shqiptarët që e gjykojnë këtë gjë”,-u shpreh Topalli.
Sipas Topallit, ministrja Harito kishe urrejtje të madhe klasore, gjë që në vitin 2013 është e patolerueshme. “Duke u nisur nga procesverbali, se ne të opozitës jemi pjesë e ish-komunizmit, apo fundërrinat e tij, turp t’ju vijë se, ne nuk e kemi shprehur kundër jush këtë gjë”,-tha më tej Topalli.
Topalli i kundërvihet dhe deklaratave të kryeministrit Rama dhe qëndrimit të tij në Kuvend. “Ashtu siç e ke bërë në këto 8 vite që të shkatërrosh Parlamentin, nuk të kemi lënë të shkelësh vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Përgjegjësia i takon kryetarit të Parlamentit. Një sistem demokratik nuk e diskuton moszbatimin e ligjeve dhe akteve normative. Do bëjmë çdo gjë që të marrin statusin kandidat dhe mos e çoni më tej marrjen e kompetencave që i takojnë Presidencës, siç është rasti i ILDKP-së”, përfundo fjalën Topalli.
Mediu: Gruaja ime punon në administratë që nga viti 1992
Me tone të ashpra pas deklaratës së ministres Harito, replikoi edhe deputeti, Fatmir Mediu. Duke i vënë në dukje se gjykimi i saj përkon me vitet ‘45, ai i kërkoi ministres që nëse konstaton shkelje nga bashkëshortja e tij të merren masa dhe jo ta përgojojë në Parlament.
“Është për të ardhur keq për qeverinë dhe ju ministre Harito. Gruaja ime punon që në vitin 1992 në një administratë, por është e turpshme që ju merreni me gjera të tilla dhe shpifje. Si kam thënë asnjëherë dikujt në Parlament se ku i punojnë kunatat apo jo. Ju kërkoj si ministre se, nëse ka shkelje minimale nga ana e bashkëshortes time, merrni masa, por nëse ecni me ligjin e 1945 atëherë bëjeni si në atë kohë. Nuk e prisja kurrë këtë gjykim nga ju, duhet të shikoni më shumë qëndrimet që mbani”, -tha ai.
Berisha: Rama ka punësuar listën familjare në qeveri
Ish-kryeministri Sali Berisha u ka ardhur në mbrojtje emërimeve të qeverisë së tij në administratë dhe nga ana tjetër ka akuzuar ministren se, kabineti qeveritar Rama ka punësuar listën familjare, pjesë e të cilës është edhe ajo.
“Qytetarët janë të shqetësuar kushërirë kur shohin ty ministre, kur shohin Bledi Cucin ministër pa asnjë meritë mbi tokë. Kur shohin burrin e Linda Bashës kryetar bordi, kur shohin kushëririn tënd të parë drejtor të MEICO-s. Ja zonja kushërirë se si të mblidhen të gjitha ty. Ju përbëni gjysmën e qeverisë si familje. Ti meritën e vetme që ke se, je kushërirë Koleka. A ka ndonjë figurë më të keqe që mund të bëjë një zonjë të përgojojë këtu punonjës të nderuar të administratës me urrejtjen klasore të shpirtit të zi të Spiro Kolekës. Emërimet sot i bën vetëm Olsi. A e di sa paguhet Olsi në ditë. Kjo me kushëririn e vet ka përpunuar doktrinën e dezinfektimit të administratës, e denjë vetëm për nazistë. Doktrinë çnjerëzore, nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë”- deklaroi Berisha.
Thursday, 27 March 2014 15:02