Lajme Shqip Friday, 14 March 2014 22:51

Kryeministri, Edi Rama i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, ka vizituar Panairin e Ditës së Verës në Elbasan. Rama bashkë me bashkëshorten u takua me tregtarë të ndryshëm dhe bisedoi më nga afër me ta. Përfaqësuesit e një prej bizneseve të pranishme në Panair, të cilit ishin kthyer nga emigracioni, e njohën Kryeministrin me eksperiencën dhe ecurinë e biznesit të tyre në Shqipëri.  Duke i përgëzuar për iniciativën, Rama tha se, biznesi duhet të jetë punëdhënësi më i madh. 

“Unë besoj se këtë vit është rritur më shumë besimi. Dhe ata që si ju vijnë këtu nga emigracioni, përdorin eksperiencën për të hapur një biznes, bëjnë dy gjëra të mëdha: E para, përmirësojnë jetën e tyre; E dyta japin një shembull të shkëlqyer që kush do punë dhe kush ka talent dhe zotësi e gjen rrugën”, u shpreh kryeministri.

“Janë të kënaqur e të motivuar dhe përbëjnë një shembull të shkëlqyer, qoftë për të tjerë që dëshirojnë të kthehen e t’i investojnë kurimet e veta këtu, qoftë për ata që në Shqipëri janë në kërkim të një pune e të ardhmeje dhe që duhet të shikojnë më shumë tek talenti e zotësia e tyre dhe tek sistemi privat, qoftë për të filluar një biznes të vogël, qoftë për t’u angazhuar në sektorin privat, sepse shteti nuk mund të jetë punëdhënësi më i madh”.

Kryeministri nënvizoi se angazhimi i Qeverisë për punësim është në radhë të parë i fokusuar tek krijimi i hapësirave të reja për sektorin privat. “Lufta jonë për punësim real dhe kundër papunësisë është në radhë të parë e fokusuar tek krijimi i hapësirave të reja për sektorin privat. Për të hapur vende të reja pune përmes sipërmarrjes private dhe sigurisht, me mbështetjen e pakursyer dhe me politika të reja, ide të reja, energji të reja, nga ana e qeverisë”, theksoi Rama.