Ditën e djeshme kryeqytetit iu rikthye një hapësirë e re, që ishte tërësisht e pashfrytëzueshme nga qytetarët për rreth 40vjet. Një iniciativë e kryeministrit në bashkëpunim me institucionet përkatëse, pikërisht ditën e djeshme, në ditën e rrëzimit të bustit të diktatorit, i rikthyen qytetarëve lulishten pranë vilës qeveritare 30, ose siç quhej ndryshe vila e Mehmet Shehut. Tashmë, ajo nuk është më një zonë e pakalueshme për qytetarët e Tiranës.
Perspektiva e kësaj lulishteje “pa hekura” është të sjellë brenda saj lojëra fëmijësh, stola, drita me ngjyra dhe ambiente çlodhëse për të gjitha moshat. Simbolikisht ajo mund të quhet edhe rënia e “murit” të fundit të Bllokut. Sigurisht që një park më shumë është një e mirë e madhe për qytetin dhe qytetarët. “Shekulli” arriti të kontaktonte me një pjesë të qytetarëve, të cilit kishin preferuar që një mesditë të ngrohtë si ajo e djeshmja të shijonin rrezet e ngrohta të diellit në stolat e këtij parku të vogël.
Të moshuarit, gëzim dhe nostalgji
Dy prej vizitorëve të parë të këtij ambienti ishin dy të moshuar që kishin zënë një prej stolave duke soditur natyrën. Pasi afrohemi dhe i pyesim si ndihen që tashmë kanë një park më shumë ata shprehen: “Ne jemi të gëzuar që është menduar t’i rikthehet qytetarëve ky ambient. Gjelbërimi është pastërti. Mes zhurmës dhe pluhurit të kryeqytetit parqet janë mëse të nevojshëm dhe të domosdoshëm” u shprehën të moshuarit, Elez Ponari dhe Abaz Buçpapaj. Në fakt, nuk ishin të vetmit që po sodisnin hapësirën e këtij parku. Një tjetër çift bashkëshortësh folën pak për historinë e këtij parku.
“ Sapo e pamë që “muret” rrethues të lulishtes nuk ishin më, u habitëm dhe po diskutonim me njëri-tjetrin që, më parë nuk arrinim të depërtonim as shikimin përtej gardhit, e jo më të hynim. Në periudhën e diktaturës ishim kuriozë të ndalonin dhe të shihnim, pasi na ndiqnin rojet e institucionit madje, njëherë na morën shënim emrat. Sot shohim një transformim total, një lulishte ku jo vetëm mund të ndalosh e të shohësh përtej hekurave rrethues, por mund të ulesh të çlodhesh dhe qetësohesh. Të tilla iniciativa nuk duhet të merren vetëm ditën e rënies së bustit të diktatorit, por gjithmonë”, u shpreh çifti.
Të preferuara edhe nga adoleshentët
Nuk janë vetëm moshat e thyera ato që e preferonin këtë lulishte, mes tyre ne gjetëm të rinj dhe adoleshentë. Katër nxënës të një prej shkollave private në kryeqytet, pas përfundimit të orarit mësimor, nuk kishin preferuar të uleshin diku për kafe, por kishin zgjedhur të shijonin ambientin e pastër dhe aromën e mimozave që ofron parku. Ata na befasuan disi me reagimin e tyre pozitiv lidhur me ambientin ku po qëndronin, pasi të rinjtë nuk preferojnë shumë të qëndrojnë në stolat e parqeve. “Kjo është vërtet diçka për t’u vlerësuar, pasi hapësirat e gjelbra e kanë humbur kuptimin e tyre”, shprehen ata.
Duke u munduar të largoheshim nga ambientet e lulishtes së sapo liruar nga hekurat e “burgut” diktatorial, shohim në një cep dy vajza, të cilat mbanin libër në duar. Afrohemi dhe i pyesim për impaktin që iu jep kjo hapësirë. “ Ne përgjithësisht preferojmë të qëndrojmë në ambiente të tilla, pasi janë të qeta. Në kryeqytetin e zhurmshëm, vështirë të gjesh të tilla ambiente. Unë kam zgjedhur të formoj një kurorë me luledele” shprehet Eva, njëra nga vajzat. Ndërsa Kiti, vajza tjetër tregon se ka në duar një libër dhe e lexon me kënaqësinë më të madhe në qetësinë e lulishtes së heshtur. Teksa sheh njerëz të cilët kënaqen me të tilla ambiente, uron dhe shpreson që, në të mirë të qytetarëve të realizohen dhe mundësohen gjithmonë iniciativa të tjera. Është për t’u përgëzuar vërtet kjo iniciativë e ndërmarrë nga kryeministri Edi Rama në bashkëpunim me Gardën e Republikës së Shqipërisë.
Parku
Në periudhën e zymtë të diktaturës, gjatë viteve 70-80 kjo vilë ishte e pakalueshme në mënyrë kategorike nga qytetarët, apo nga persona të paautorizuar. Nga dje ajo është në shërbim të qytetarëve, me ambient të gjelbër, stola, rrugica të shtruara dhe me një basen ujor, që ka qenë ekzistues prej vitesh, por ka nevojë për rikonstruksion. Ashtu siç është premtuar në të do të futen edhe këndet e lojërave për fëmijë, ndërsa për të moshuarit do të jetë një ambient çlodhës.
“Xhungla brenda qytetit, tani e qytetarëve”
Lidhur me rikthimin e kësaj hapësire në duart e qytetarëve ka folur në një deklaratë për mediet edhe drejtori i ALUIZN- it, Artan Lame. Ai e ka cilësuar këtë iniciativë vërtet të vlefshme për të gjithë. “Që sot, kjo pjesë e madhe e kësaj lulishteje të qytetit i kthehet prapë qytetarëve. Ne bëmë goxha punë edhe për risistemimin e saj sepse në gjithë këto vite, ajo gati ishte kthyer në një lloj xhungle brenda qytetit dhe që sot ajo është e hapur për të gjithë qytetarët. Që nesër, edhe unë vetë me fëmijët e mi, do të jem prezent, për ta parë dhe ata dhe për të shkelur në një lulishte tjetër të këtij qyteti, që kaq pak zona të gjelbra i kanë mbetur. Nga ana tjetër, u desh edhe një punë e madhe për ta lidhur me pjesë të tjera të parkut, sepse një pjesë e këtij parku ekzistonte.
Ajo që është çudi tjetër, ka të bëjë me faktin se kjo lulishte historikisht ka qenë e hapur për qytetarët në vitet ‘50 kur është ndërtuar për herë të parë. Pastaj në atë periudhën më të zymtë të diktaturës, në vitet ‘70-80 u rrethua. Njerëzit kalonin dhe iknin me vrap sepse kjo ishte pjesë e Bllokut dhe kjo pjesë e Bllokut mbijetoi çuditërisht edhe pasi u shemb Blloku, mbijetoi deri në vitin 2014, pra deri sot, kur po i rikthehet qytetit” u shpreh Lame. Arkitekti Artan Shkreli, e vlerësoi gjithashtu rikthimin e këtij ambienti në interes të qytetarëve.
“Ishte një dëshirë e kryeministrit që, pikërisht, për të kujtuar momentin e rënies e bustit të diktatorit, ta shoqëronte në mënyrë simbolike, nga njëra anë me rënien e kësaj ndalese tek ky kopsht, të kësaj tabuje të fundit që kishte ngelur në kryeqytet nga Blloku i dikurshëm, por edhe në mënyrë jo simbolike, por funksionale, për t’ia dhënë qytetarëve, fëmijëve, grave, moshave të treta, këtë hapësirë.
Besoj që në periudhën në vijim, ky park që filloi rehabilitimin e tij do të ngrihet në një rang më të lartë, jo vetëm me futjen në punë të basenit ujor që është këtu, jo vetëm me stolat dhe rrugicat që janë shtruar, por do të vihet dhe ndriçim kontemporan. Ndoshta mund të futen dhe elemente të tjerë urbanë, siç janë lojërat për fëmijë, apo pika të tjera informacioni, rekreative, por natyrisht asnjë lloj ndërtimi sikurse, për fat të keq shpeshherë ka ndodhur në kryeqytetin tonë” mbylli fjalën e tij Shkreli./shekulli/
Friday, 21 February 2014 13:55