Prokuroria e Korçës ka dërguar për gjykim kërkesën ndaj ishdrejtorit të një banke të nivelit të dytë në Bilisht, Blendi Topalli, i akuzuar për “vjedhje bankash me pasoja të rënda” dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”.
Sipas prokurorisë, “nga veprimet e tij të kundërligjshme, Topalli ka arritur të tërheqë dhe përdorë rreth 2.900.000 euro (dy milion e nëntëqind mijë euro) nga llogaritë bankare të mbi 50 personave, klientë të bankës.”
Mekanizmi i vjedhjes
Gjithashtu, prokuroria e Korçës ka dërguar për gjykim kërkesën edhe ndaj bashkëpunëtorëve të tij. Më konkretisht, shtetasin Ervin Xhaçi, i akuzuar për “vjedhje bankash” dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”; si edhe, për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” shtetasit:
Fioralba Andrea, Julian Kosho, Kimet Hoxha dhe Loren Ballço (këta të fundit punonjës të të njëjtës bankë të nivelit të dytë).
“Nga hetimi i prokurorisë Korçë është provuar se ish-drejtori Topalli, në bashkëpunim me shtetasin Xhaçi kanë transferuar në mënyrë të paligjshme shuma të konsiderueshme parash nga llogaritë e personave të ndryshëm në emër të personave të ndryshëm, që më pas ua merrnin.
Nga hetimi ka rezultuar gjithashtu se pjesa më e madhe e shumave të vjedhura nga llogaritë e klientëve janë përdorur për vendosjen e basteve sportive, ndërsa një pjesë është përdorur për blerjen e pasurive të paluajtshme.
Ndërsa katër punonjësit e tjerë të bankës, të akuzuar për “shpërdorim detyre” kanë vepruar në mënyrë të kundërligjshme dhe kanë kryer veprimet burokratike, të cilat i kanë shërbyer qëllimit të vjedhjes nga ana e drejtorit të filialit.
Gjithsesi, nuk provohet që këta punonjës kanë pasur dijeni për qëllimet e drejtorit të tyre, por kanë vepruar në mirëbesim, pavarësisht së në kushtet e shpërdorimit të detyrës.”- thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Aktakuza
Shtetasi Blendi Topalli, prej datës 20.01.2009 deri në datë 03.09.2013, (data e arrestimit), në vazhdimësi ka konsumuar elementët e veprës penale të “Vjedhjes së Bankave dhe arkave të kursimit” dhe , “Pastrimit të Produkteve të veprës penale”,
(me pasoja të rënda) të parashikuar nga nenet 136/2 dhe 287/3 të K.Penal. Megjithse rezulton se për të bërë të mundur këtë fakt ai ka falsifikuar një numër të madh dokumentesh, ky fakt në kuptim të ligjit material penal, konsiderohet si mjet për realizimin e veprave penale për të cilat ai po akuzohet.
Më konkretisht Blendi Topalli në bashkëpunim me shtetasin Ervin Xhaci, nga shuma e mësipërme, pjesën dërmuese të tyre kanë mundur ta përvetësojnë duke i transferuar shumat e lekëve tek persona të tretë të cilët më pas i kanë tërhequr këto shuma lekësh dhe ua kanë dhënë shtetasve Blendi Topalli dhe Ervin Xhaci.
Ky i fundit i ka servirur pjesën dërmuese të emrave shtetasit Blendi Topalli. Gjithashtu shtetasi Ervin Xhaci, ka përdorur edhe llogaritë e të afërmve të tij, për të bërë të mundur vjedhjen e shumës së mësipërme të parave.
Pretendimi i ngritur nga shtetasi Ervin Xhaci, se ai thjesht ka pranuar shumat e vendosura bast nga shtetasi Blendi Topalli, është i pambështetur në provat e mbledhura nga hetimi. Pasi nga hetimi ka rezultuar se vetë mënyra se si është realizuar vjedhja duke përdorur llogaritë e shumë personave të tjerë, ishte një mënyrë për të bërë të mundur vjedhjen pa lënë asnjë gjurmë dhe për të mos u kuptuar nga ana e bankës dhe agjensive të tjera ligjzbatuese.
Sunday, 16 February 2014 17:20