Lajme Shqip Thursday, 13 February 2014 15:09

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në Parlament ka akuzuar opozitën se gjatë 8 viteve që ka qenë në pushtet dhe nuk ka bërë asgjë për transportin publik, ndërsa tani i kërkon qeverisë llogari për rrugët që sipas tij i ka lënë rrugëve.

 

Rama ka theksuar se opozita kërkon të nxjerrë përfitime politike duke akuzuar qeverinë për transportin publik. Kryeministri tha se, infrastruktura e vendit tonë është jo vetëm copë-copë, por edhe e shëmtuar.  Kryeministri akuzoi opozitën se në kohën e qeverisjes për afera korruptive ngriti rrugët më të pasigurta, si të ishin ndërtuar për periferinë e Bangladeshit

 

 “Keni pasur 8 vite kohë për ta bërë rrugë, që jo vetëm nuk e keni bërë ose e keni lënë të degjenerojë në rënie të lirë. Në 8 vite as që e keni çarë kokën ndonjëherë ta ktheni kokën nga qytetarët, pleqtë, të sëmurët që udhëtojnë çdo ditë në Shqipëri. Nga viti 2005 deri në 2013, janë vrarë në rrugët e Shqipërisë së zhvilluar 2952 e janë plagosur mijëra të tjerë. E vërtetë është në fakt që keni hedhur lumenj parash në infrastrukturë dhe keni ndërtuar sot në Shqipëri, sistemin më të pasigurt, të varfër në sinjalistikë, më antimjedisor”, u shpreh Rama.

Ai tha se qeveria paraardhëse, ka bërë sistemin me korsinë më të madhe të korrupsionit dhe gropa të hatashme borxhesh. “Dhe sot ju keni gojë dhe flisni kur na shikoni neve duke rregulluar rrugët që i keni lënë në rrugë. Keni bërë një tra në mes të rrugës, të trashë sa trotuari dhe trotuarin e keni bërë që burri të ecë para e gruaja pas. Dhe javën tjetër do të bëni atë ritualin e përshpirtjes që do të bëni atë luftën me komunizmin që ekziston vetëm në kokën e njërit prej jush. Transportin e latë si mos më keq, sot doni të përfitoni edhe politikisht. Cilën rrugëdalje bëtë ju që dilni dhe akuzoni qeverinë sot. Zero, zero, zero argumente”, tha Rama.