Lajme Shqip Wednesday, 12 February 2014 12:31

Edhe pse opozita e tanishme akuzon mazhorancën për largime nga puna, një raport i fundit tregon se gjatë qeverisjes “Berisha” u krijua një mal me vendime gjykatash për largimet e padrejta. Në Kuvend ka mbërritur informacioni i Avokatit të Popullit që evidenton qeverinë Berisha për mosekzekutimin e vendimeve gjyqësore. Situata paraqitet kritike për moszbatimin e vendimeve gjyqësore për largimet e padrejta nga puna edhe në Bashkinë e Tiranës, nën drejtimin e kryetarit të PD-së, Lulzim Basha. Përmes raportit të Avokatit të Popullit të nxjerrë nga konstatimet e vitit 2012, por të shpërndarë dy ditë më parë deputetëve të Komisionit të Ligjeve, vihet në dukje se janë me dhjetëra ish-nëpunës të shtetit që janë larguar padrejtësisht dhe nuk kanë marrë ende dëmshpërblimet. Në raportin e veçantë theksohet se, vazhdon të rritet numri i ankesave të qytetarëve drejtuar institucionit të Avokatit të Popullit për të ndërhyrë pranë autoriteteve përgjegjëse për të realizuar të drejtën e tyre të fituar në rrugë gjyqësore. Por, bashkë me numrin e ankesave për këtë objekt, rritet dhe fatura financiare e shtetit për detyrimet ndaj individëve.

Konstatimet

Qeveria “Berisha” kritikohet se nuk është angazhuar maksimalisht për zbatimin e vendimeve gjyqësore. Shqetësuese është kjo situatë veçanërisht kur organet më të larta të administratës publike nuk kanë përmbushur detyrimet e vendosura sipas vendimeve gjyqësore të formës së prerë të dhëna në vitet e shkuara. Disa nga instituticonet e larta shtetërore problematike janë: Ministria e Drejtësisë, Ministria e Brendshme, Ministria e Financave, Ministria e Integrimit, Ministria e Punëve Publike dhe Transportit, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Prefektura e Qarkut Durrës, Bashkia Tiranë, AKKP, Zyrat Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Tiranë, Fier, Mirditë, Korçë,  zyrat e ALUIZN-it Vlorë, Lezhë, Këshillin e Qarkut Kukës, INUV-së, Qarku Dibër, INUK-së Tiranë, Shërbimi Kombëtar i Punësimit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave etj. Në raportin e mbërritur në Kuvend thuhet se, angazhimi i qeverisë për të përfunduar ekzekutimin e gjithë vendimeve gjyqësore të formës së prerë të dhëna në vite, sipas të cilëve është vendosur detyrimi i institucioneve buxhetore të paguajnë detyrime në të holla apo të kryejnë përmbushjen e një veprimi të caktuar ndaj subjekteve të ndryshëm gjyqfitues, nuk është në nivelin e angazhimit të marrë. Sipas institucionit të Avokatit, problemi i mosekzekutimit të titujve ekzekutiv mbetet edhe sot një nga problemet e përsëritura. Ekspertët e Avokatit të Popullit theksojnë se ky borxh vetëm për shkak të mosrespektimit të parimit të ligjshmërisë nga ana e autoriteteve të ngarkuara me ligj për ekzekutimin e tyre, rrit faturën financiare nga dita në ditë për shkak të mospërmbushjes së tij që në momentin e marrjes formë të prerë të vendimit gjyqësor. 

Dëmshpërblimet për pronat

Problematike paraqitet situata dhe në procesin e ekzekutimit të titujve ekzekutivë, sipas të cilëve është vendosur për lirim e dorëzim sendi, duke sjellë në këtë mënyrë zvarritjen e procesit të ekzekutimit si dhe mosdhënien e mundësisë për gëzimin nga ana e gjyqfituesit të së drejtës së pronësisë mbi pasurinë objekt ekzekutimi. Sipas Avokatit të Popullit, ekzekutimi i vendimeve gjyqësore të formës së prerë që kanë të bëjnë me pasuritë e paluajtshme, si prishje objektesh, lirim dhe dorëzim sendi të paluajtshëm, ekzekutimin e pjesëtimit gjyqësor e të tjera, kërkojnë  nga  shërbimi përmbarimor kujdes të veçantë, pasi në rast të kundërt,sipas tyre, propabiliteti për cenimin e të drejtave të pronës së debitorit ose personave të tretë mbetet i lartë. Në raport evidentohet se në mjaft raste veprimet e përmbaruesit gjyqësor janë kryer në dëm të tij apo në kapërcim të urdhërimit gjyqësor.

Kompensimi

 
Vendimi

 Kostoja reale e përmbytjes, dy herë më e lartë

Ndonëse Këshilli i Ministrave miratoi vlerën e kompensimit të dëmeve të shkaktuara në shumën 1 112 303 342 lekë si dhe listat e 7563 familjeve dhe subjekteve të biznesit të qarkut të Shkodrës, kostoja reale është dy herë më e lartë. Konkretisht bëhet fjalë për një shumë totale prej 2 097 440 930, e cila është shumë më e madhe se shuma prej 1 112 303 342 që qeveria “Berisha”, miratoi në dhjetor 2011, ndërkohë që ende nuk është bërë dëmshpërblimi i të gjithë familjeve. Institucioni i Avokatit rekomandon miratimin e një vendimi të ri të Këshillit të Ministrave ku të parashikohen ato subjekte të lëna në harresë gjatë procedurave të përpilimit të dokumentacionit, me qëllim që të gjithë fermerët të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe të përfitojnë dëmshpërblimin ashtu si dhe bashkëfshatarët e tyre. Gjithashtu kërkohet edhe miratimi i një vendimi për dëmshpërblimin e banorëve të qytetit të Shkodrës, të cilat kanë pësuar dëme serioze në banesat dhe orenditë e tyre shtëpiake.

 Akti normativ

Në tetor Kuvendi miratoi me 84 vota pro dhe 4 vota kundër aktin normativ të qeverisë që shtyn me 6 muaj efektet e ligjit ‘Për nëpunësin civil’. Deputetët e PD-së nuk morën pjesë në seancë, ndërsa opozita u përfaqësua në debat me katër deputetët e grupit parlamentar të Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), të cilët votuan kundër aktit.

Vendimi i Kushtetueses

PD do ta ankimonte në Gjykatën Kushtetuese aktin normative duke pretenduar paligjshmërinë. Pas tre muajsh shqyrtim, me 5 vota pro dhe katër kundër, Kushtetuesja do të shprehej se Këshilli i Ministrave ka përdorur aktin normativ në shkelje të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Nuk do të mjaftonte as mendimi i Kryetarit të kësaj gjykate, Bashkim Dede, që të lihej në fuqi akti normativ i qeverisë.

Ligji i ri

Socialistët do të nisin diskutimet për një amendim të ri të ligjit “Për nëpunësit civil”. Drafti do të miratohej me konsensus në 30 maj 2013 nga të gjitha palët politike. Por votat e së majtës do të ishin më shumë një detyrim i presionit ndërkombëtar, ndërsa gjatë hartimit të këtij ligji ajo nuk mori pjesë.

 Botimi në Fletoren Zyrtare

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ka hyrë ende në fuqi edhe pse ka pothuaj një javë që nga zbardhja e takimit. Ende vendimi nuk është publikuar në fletoren zyrtare, dhe sipas vendimit të zbardhur nga Gjykata Kushtetuese, ai hyn në fuqi pas botimit në fletore. Në këtë mënyrë, fati i zbatimit të nëpunësit civil të miratuar në maj të këtij viti do të mbetet përsëri në dorën e qeverisë Rama. Kjo pasi, Qendra e Botimeve Zyrtare është në varësi direkte nga Ministria e Drejtësisë. Pas një zgjatjeje të afatit për zbardhjen e vendimit nga ana e Gjykatës Kushtetuese, duke krijuar të gjithë hapësirat ligjore për shkarkimet dhe emërimet e reja në administratën publike, mazhoranca duket se ka gjetur edhe çelësin e ri magjik.

Konkurset te ILDKP, të njëjtët njerëz për disa pozicione

 Zana Xhuka fillon konkurset për punësimet e reja në ILDKP. Kuvendi lë ende pezull procedurat për shkarkimin e saj

Kryetarja e Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Pasurive ka nisur emërimin e punonjësve të rinj. Pas pushimit të procedimit nga Prokuroria në lidhje me  kallëzimin e paraqitur nga punonjësit e këtij institucioni, pritet që shumë shpejt të emërohen dhe 5 punonjës të rinj. Në faqen e ILDKP-së janë publikuar vendet vakante duke filluar që nga eksperti i thjeshtë e gjer tek drejtori; Por ajo që bie në sy është se në disa prej konkurseve të hapura nga ky institucion figurojnë të njëjtët persona. Ligji i nëpunësit parashikon që për të fituar një vend pune në administratë duhet të ketë kandidatë të tjerë, çka e bën të domosdoshme një garë. Por konkurrimi i të njëjtëve personave si për pozicionin e ndihmës inspektorit, ashtu edhe për atë të inspektorit apo të drejtorit, ngre dyshime të mëdha për konkursin. Sipas kandidatëve të shpallur nga ky institucion, që presin të konkurrojnë për fazën tjetër, Albert Spahiu; Hidajet Kopani; Paulin Gjini; Denis Berxolli dhe Ledian Feka, rezultojnë se konkurrojnë për të tre pozicione të ndryshme pune. Zyrtarisht Kuvendi pritet që të nisë procedura e shkarkimit të Inspektores së Përgjithshme të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Pas një hetimi që filloi që në nëntor, nga një komision i posaçëm me përbërjen e tre deputetëve, Armando Subashi, Piro Lutaj dhe Ulsi Manja, i është kërkuar Kuvendit që të shpallë të pavlefshëm emërimin e znj.Xhuka në krye të këtij inspektorati nga mazhoranca e djathtë një vit më parë. Në raportin prej 17 faqesh të përgatitur vetëm për inspektoratin, deputetët kanë renditur një sërë shkaqesh duke filluar që nga procedurat e paligjshme të emërimit të saj në krye të këtij institucioni e gjer tek shkeljet e pretenduara në ushtrimin e detyrës gjatë një viti. Por , opozita iu kundërpërgjigj menjëherë kërkesës së mazhorancës për shkarkimin e kryetares së Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Zana Xhuka. Ajo i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese duke kërkuar që të shpallet si antikushtetues sulmi, siç e cilësojnë demokratët, që mazhoranca po i bën kryeinspektores së ILDKP-së.  

Zarif Dervishi

Ankuesi Z. D. ankohej ndaj Ministrisë së Punëve Publike dhe Turizmit për mosekzekutimin e Vendimit të KSHC-së se ishte hequr padrejtësisht dhe kërkonte rikthimin në punë dhe pagimin e pagave për gjithë kohën e qëndrimit pa punë, padrejtësisht. Deri më sot refuzohet kthimi i përgjigjes për rekomandimin e dhënë.             

Ankuesi Nikoll Bunjaj

Ankuesi N. B ankohej ndaj Ministrisë së Brendshme për mosekzekutimin e Vendimit të gjykatës për detyrimin e Sekretarit të Përgjithshëm për t’i ofruar ankuesit Nikoll Bunjaj pozicionin Përgjegjës Sektori në Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile.

Shtetasi F.G. ankohej ndaj Universitetit Bujqësor të Kamzës për se mil kishte zbatuar vendimin e gjykatës për ta dëmshpërblyer me pagat mujore, sigurimet shoqërore, si dhe çdo detyrim tjetër. Në përgjigje të rekomandimit, Rektori, Fatos Harizaj, ka njoftuar se do t’i paguajë detyrimin në masën 10.000 lekë në muaj gjyqfituesit, ndërkohë që detyrimi në të holla (pagë) për çdo muaj, shtohet përderisa nuk përmbushet dhe detyrimi për rikthimin e ankuesit F.G. në detyrën që ka pasur.

Ankuesi Besnik Zeneli ankohej ndaj Avokaturës së Përgjithshme të Shtetit për mosekzekutimin e Vendimit Gjyqësor për dëmshpërblim palën paditëse Besnik Zeneli me pagën e 12 muajve për zgjidhje të menjëhershme dhe të pajustifikuar të marrëdhënies së punës. Në procesin e shqyrtimit të ankesës, Institucioni i Avokatit të Popullit, i ka rekomanduar Zyrës së Përmbarimit Tiranë, kryerjen e veprimeve për ekzekutimin e detyrueshëm. Deri më sot refuzohet kthimi i përgjigjes për rekomandimin e dhënë./shekulli/