Lajme Shqip Tuesday, 04 February 2014 14:06

Zbardhet vrasja e Almir Canit nga Olti Lamçe. Si nisi sherri për një punë të papaguar dhe si dy miqtë e burgut u bënë armiq, pasi autori u ‘tradhtua’ në polici  Zbardhet ngjarja e ndodhur dy vite më parë në Elbasan. Prokuroria ka dhënë 

dje pretencën, duke kërkuar 25 vite burg për Olti Lamçen, i cili i mori jetën shokut të tij, pasi i nxorri emrin në polici për kërcënimin që i bëri mospaguesit të lekëve të punës së viktimës dhe kushëririt të tij. Prokurori ka shpjeguar gjithçka para gjykatës që ka të bëjë me sherrin që më pas degjeneroi në vrasjes mes shokësh: 

“I pandehuri Olti Lamçe dhe viktima Almir Cani kanë qenë të njohur mes njëri-tjetrit kjo pasi të dy këta shtetas kanë qenë të paraburgosur në qelitë e burgut të Peqinit ku dhe kanë ndenjur së bashku. I pandehuri Olti Lamçe përpara ngjarjes së vrasjes ka ndenjur shpesh herë në lokalin e quajtur ‘Tekila’ i cili është në pronësi të viktimës shtetasit Almir Cani.

Viktima Almir Cani, përpara ngjarjes së vrasjes është marrë si me administrimin e lokalit të tij “Tekila” por dhe punonte së bashku me nipin e tij shtetasin Elis Cani në banesa të ndryshme të rrethit të Elbasanit. 

Rreth një vit e gjashtë muaj përpara kësaj ngjarje shtetasi Elis Cani me ndërmjetësimin e shtetasit A. K. ka marrë për të bërë një palë shkallë në banesën e shtetasit Sulejman Furrxhiu.

Me qëllim që ta mbaronte sa më shpejt këtë punë Elisi ka thirrur për ta ndihmuar dhe xhaxhanë e tij viktimën Almir Cani. Pasi kanë bërë pazar me Sulejmanin, Elisi ka filluar punën për ngritjen e shkallëve. Shtetasit Elis dhe Almir Cani kanë filluar punën dhe për shkaqe të ndryshme këtë punë e kanë bërë ngadalë.

Në muajin dhjetor të vitit 2011dhe janar të vitit 2012 mes Elisit dhe Sulejmanit kanë filluar kontradiktat në lidhje me vlerën e punës që shtetasi Elis Cani së bashku me viktimën Almir ishin duke bërë.

Gjatë kësaj kohe Elisi i ka kërkuar Sulejmanit paratë për punën e kryer. Në kohën që janë bërë këto debate mes tyre në dy raste prezent ka qenë dhe viktima Almir i cili ka debatuar dhe ai me Sulejmanin.

Po kështu me Furrxhiun kanë biseduar për të zgjidhur këtë mosmarrëveshje dhe babai i viktimës e babai i Elisit. Pas këtyre debateve të bëra mes Furrxhiut dhe shtetasve Elis dhe viktimës Almir Cani këta të fundit kanë shkuar në banesën e Furrxhiut me qëllim që t`i kërkonin paratë për punën e bërë por S. Furrxhiu nuk ua ka hapur derën e banesës. 

Vrasja

Me datë 16.02.2012 viktima Almir Cani ka qenë në lokalin e tij “Tekila” dhe aty më pas kanë shkuar nipi i tij shtetasi Elisi së bashku me shtetasin A.B . Pasi janë ulur të pijnë kafe në lokal, Almiri ka thirrur personin nën hetim shtetasin Olti Lamçe, i cili thirret Ola dhe një person tjetër të paidentifikuar me emër. 

Në bisedë e sipër Almiri i ka kërkuar Oltit dhe personit tjetër që të shkonin së bashku me Elisin tek farmacia e shtetasit I. Furrxhi i cili është djali i shtetasit S. Furrxhi me qëllim që t`i merrnin lekët që iu kishte Elisit dhe atij për punën e kryer në

bërjen e shkallëve në banesën e Sulejmanit Furrxhi. Në tavolinë viktima   viktima Almir i ka thënë Elisit që të shkonte së bashku me Oltin dhe personin tjetër tek djali i Sulejmanit me qëllim që t`i bënin presion.

Pas marrjes së një taksie Elisi së bashku me Oltin, A. B dhe personin tjetër kanë hipur në taksi dhe janë nisur për të shkuar tek farmacia e shtetasit Ibrahim Furrxhiu e cila ndodhet në afërsi të spitalit. Rrugës shtetasi A. B ka zbritur nga mjeti ndërsa Elisi dhe Olti dhe personi tjetër kanë vazhduar rrugën.

 Pasi kanë shkuar tek farmacia tre personat kanë hyrë në farmaci ku kanë filluar t`i kërkojnë Ibrahimit shpjegime në lidhje me lekët që babai i tij i kishte borxh Elisit dhe Almirit. 

Pasi Ibrahini iu është përgjigjur me ton duke iu thëne se ai nuk dinte gjë në lidhje me këto pazare dhe se paratë t`ia kërkojnë babait të tij personi i paidentifikuar ka nxjerrë nga brezi një armë pistoletë me të cilën e ka kërcënuar Ibrahimin, në lidhje me paratë që babai i tij i kishte Elisit dhe Almirit. Më pas Elisi së bashku 

me Oltin dhe personin e tretë janë larguar nga farmacia dhe kanë hipur në taksi. Pas kësaj ngjarje Ibrahimi ka njoftuar menjëherë të atin, Sulejman dhe të dy së bashku kanë shkuar në policinë e Elbasan ku dhe kanë bërë kallëzim në lidhje me ngjarjen. 

Pas marrjes së kallëzimit në polici nga ana e policisë janë thirrur shtetasit Elis dhe Almir Cani me qëllim që të sqaronin ngjarjen. 

Përpara se të shkonin në Komisariat Elisi ka biseduar me Almirin ku ai i ka thënë që të mos tregonte emrat e personave që ishin me të. Pasi kanë dalë nga ambientet e komisariatit viktima Almir Cani ka kërkuar shtetasin Olti Lamçe që ta takonte, gjithashtu Almiri ka kërkuar të takojë dhe vëllain e tij shtetasin Florian Lamçe. 

Në ballafaqimin e bërë në polici mes Ibrahimit e babait të tij Sulejmanit dhe Almirit e Elisit është përmendur së personi që ka qenë aty quhet Olti Lamçe, për pasojë Olti nga ky moment nuk është ndjerë mirë dhe ka qëndruar ftohtë me Almirin. 

Nga ana e Almirit i është kërkuar shtetasit M. SH. i cili është nipi i tij që nëse i sheh vëllezërit Olti dhe Florian Lamçe t`iu thotë se ai i kërkonte për t`u sqaruar. M. SH, pasi i ka kërkuar, ka takuar shtetasin Olti Lamçe dhe i ka thënë se të kërkon daja Almir. 

Me dt 22.02.2012 në mbrëmje viktima Almir Cani ka qenë në shtëpi dhe është marrë në telefon nga dikush, që është identifikuar si shtetasi Florian Lamçe, i cili i thotë që e priste te lokali (viktima e kishte shtëpinë sipër lokalit). Almiri ka dalë nga banesa e tij dhe ka zbritur poshtë dhe është takuar me të pandehurin Olti Lamçe. 

Viktima Almir Cani është qëlluar me sende të forta në buzë dhe në kokë dhe më pas i pandehuri Olti Lamçe i cili ka patur me vete një armë zjarri pistoletë e ka qëlluar Almirin një herë në kokë duke e plagosur rëndë. 

Pasi ka kryer vrasjen personi nën hetim Olti Lamçe është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes ndërsa Almir Canin e kanë dërguar menjëherë në spital ku dhe ka gjetur vdekjen. /shekulli/