Ekspertiza mjeko-ligjore që i është bërë 54-vjeçares S.L., e cila akuzoi djalin e saj se e kishte përdhunuar, tregoi se nuk kishte asnjë shenjë dhune në trupin e gruas.
Ngjarja ndodhi ditën e djeshme, ku nëna nga një fshat i Librazhdit kishte denoncuar në polici djalin se e kishte përdhunuar. Menjëherë pas denoncimit, policia ka shkuar në banesën e familjes Miska dhe kanë arrestuar 27- vjeçarin, i cili ishte duke fjetur në momentin që edhe i është parashtruar akuza e arrestimit. Mësohet se i riu në fillim ka qenë i shokuar nga ajo që akuzohej, pasi ende nuk mund të kujtohej se çfarë kishte bërë në gjendje të dehur. Burimet e policisë thonë se, ai nuk e ka pranuar akuzën e përdhunimit të nënës së tij, ndërsa më pas përpara ekspertëve, të cilët e kanë marrë në pyetje, ai ka preferuar të heshtë.
Nga ana e saj, policia deklaron se nisur nga denoncimi i 58-vjeçares, ajo është përdhunuar nga i biri, por ndryshe deklaron ekspertiza mjekoligjore. Sipas burimeve të spitalit të Librazhdit ku, edhe është kryer ekspertiza ndaj 58-vjeçares, mësohet se në trupin e saj nuk ka asnjë shenjë dhune si edhe në organet gjenitale, çka hedh poshtë akuzën e saj se është përdhunuar nga djali i saj.
Lajmi i djeshëm
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në një fshat të Librazhdit, ku djali ka përdhunuar nënë e tij. Policia bën të ditur se ka arrestuar 27-vjeçarin Astrit Miska, i cili akuzohet se ka abuzuar seksualisht me nënën e tij 54-vjeçare. Ngjarja ndodhi rreth orës 01:00 të mëngjesit të djeshëm në fshatin Dardhë të komunës Hotolisht në Librazhd.
Burime nga policia kanë bërë të ditur se, denoncimi është bërë në komisariatin e policisë së Librazhdit, nga gruaja 54-vjeçare me inicialet S. L.
Në denoncimin e bërë në polici, 54-vjeçarja ka deklaruar se gjatë mesnatës rreth orës 01:00 të ditës së sotme djali i saj, Astrit Miska, ka hyrë në banesë dhe ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë.
Edhe pse gruaja 54-vjeçare kishte kundërshtuar, nuk kishte mundur që të ndalonte djalin. Pas marrjes së denoncimit, efektivët e policisë së Librazhdit kanë vënë në pranga të akuzuarin, Astrit Miska, ndërsa është bërë edhe dokumentimi i plotë i kësaj ngjarjeje.
Aktualisht dosja i ka kaluar Prokurorisë së Librazhdit për akuzën e “Marrëdhënieve seksuale me dhunë me të rritura”./shekulli/
Monday, 27 January 2014 15:40