Lajme Shqip Sunday, 26 January 2014 16:05

Kryeministri Edi Rama, gjatë vizitës së sotme në qytetin e Durrësit, ai vizitoi edhe Drejtorinë Rajonale të Shërbimit Kombëtar të Punësimit në Durrës. 

“Zyra e Punës në Durrës është një apartament i blerë nga shteti në katin e dytë, në fund të një rruge qorre!” – shkruan shefi i qeverisë në faqen e tij në FB, duke shtuar se “shumë shpejt do të hapet Zyra e Re për punësim dhe në Durrës”. 

Kryeministri ka vlerësuar ngritjen e kësaj Zyre në mjediset e ish-Interklubit, në Portin Detar, me qëllim rregullimin e marrëdhënieve mes punëkërkuesve dhe Shërbimit Kombëtar të Punësimit.

 

Rama në doganën e Durrësit: Doganë e botës së tretë

Kryeministri Rama ka zhvilluar sot një vizitë në doganën e Durrësit. Kryeministri ka qenë i shoqëruar edhe nga drejtoresha e përgjithshme e Doganave, Erisa Spiropali.

Në një postim në “Facebook”, Rama e ka cilësuar këtë doganë, si një godinë të rrënuar. Ai ka publikuar edhe një foto të saj, duke e krahasuar atë me një doganë të botë së tretë.

“A ju besohet se kjo është Dogana e Durrësit? Po,në këto dy kioska shërbehen importuesit shqiptarë e të huaj! Një godinë e rrënuar komuniste për administratën, dy kioskat që patë dhe një peshore e vetme për mijëra kontenierë, doganë e botës së tretë! Kjo gjendje turpëruese për shtetin dhe torturuese për biznesin duhet dhe do të marrë fund me projektin tonë të ri për doganën e Durrësit!”, shkruan Rama.