“Partia Demokratike po ringrihet fuqishëm dhe forcat për këtë ripërtëritje, ajo i gjen pikërisht tek historia”. Kështu është shprehur kreu i kësaj force politike Lulzim Basha, pa mbushur shtatë muaj në opozitë.
Në fjalën e mbajtur në Korçë, ku mori pjesë në 23 vjetorin e themelimit të PD-së në këtë qytet, Basha tha se kundërshtarët kanë ngritur sistemin e gënjeshtrës dhe kanë nisur mashtrimin për krimin, nën moton “jemi mirë, nuk ka ndodhur”.
Sipas Bashës, sot në vend mbizotëron pasiguria dhe ata kanë braktisur premtimet që bënë para zgjedhjeve. “Sot po vihet 8 herë më shumë tritol dhe po ndodhin dy herë më shumë vrasje. Ata kanë në mendjen vetëm blerjen e votës. Blerja e votës mëkat dhe atentati më i madh ndaj të rinjve”, është shprehur Basha.
Në çelje të takimit, organizuar paraditen e së shtunës në Teatrin “Andon Z. Çajupi” të qytetit, u dha një dokumentar mbi rrugën e PD-së, partisë së parë opozitare në vend, në këto 23 vite, raporton ATA.
I pranishëm në këtë takim, kryetari i PR, Fatmir Mediu, tha se “edhe pse jam kreu i PR-së, ju kërkoj të më konsideroni si një deputet të PD-së, sepse të gjithë kemi një sfidë përpara, të bëjmë një opozitë të fortë. Ne do të jemi gjithmonë bashkë, me ju, me gjithë shqiptarët, për të ndërtuar Shqipërinë Europiane,” ka thënë Mediu.
Saturday, 25 January 2014 23:39