Lajme Shqip Friday, 24 January 2014 17:06

Është njëri prej DJ-ve më të paguar në vend. E këtë, DJ Blunt e ka arritur përmes punës së vazhdueshme e angazhimeve të pandërprera në muzikë. Por, për të mbajtur këtë epitet, Blunt ka vendosur që të mos ndalë krijimin e tij artistik.

Ngjashëm po vepron edhe ditët aktuale, ndërsa përveç pak pushimi me familjarët, ai dhe këngëtarja Dafina Zeqiri tashmë kanë përfunduar gjithçka rreth videokëngës së re e bashkëpunimit të radhës. Kështu të paktën ka pohuar për Tribuna artisti, ndërsa ka njoftuar se ky projekt do të lansohet sot (e enjte).

“Jam vazhdimisht duke punuar në muzikë dhe profesionin tim. Përndryshe, të enjten (sot) del kënga e re e cila titullohet ‘Veç me të pas ty’. Është një këngë tjetër të cilën e kemi në bashkëpunim me Dafina Zeqirin. Është këngë nga albumi im i fundit ‘Blunt për President’”, ka treguar fillimisht Blunt, ndërsa ka njoftuar rëndësinë e këtij projekti për të dhe bashkëpunëtoren e saj Zeqiri, shkruan Tribuna.

‘On top’ me mbrëmje muzikore

Këngëtari nuk ka hezituar të rrëfejë detaje nga ky projekt, ndërsa krahas krejt punës së madhe për të cilën ai flet, shpreson për një mbështetje të fuqishme nga publiku. “Këngës ia kemi bashkangjitur klipin. Për videoklip kemi punuar me ‘Max Produksion’. Ka dal një projekt shumë interesant. Shpresoj që do të pëlqehet edhe nga publiku”.

E përpos të rejave në të cilat Blunt e Real1 po punojnë për publikun e tyre, DJ ka treguar se edhe me mbrëmje muzikore qëndrojnë shumë mirë. “Me mbrëmje muzikore jemi ‘On top’. Vërtet nuk ka si shkon më mirë. Publiku po e pëlqen shumë shouun që e bëjmë unë e Real 1. Jemi vazhdimisht të angazhuar. I kemi që tani të rezervuara datat edhe për muajin shkurt”.

Ai gjithashtu ka shtuar se albumi i fundit i ka sjell shumë sukses. “Nuk mund të mos e ceki që albumi ‘Blunt për President’, është pritur shumë mirë nga publiku dhe vazhdon me të njëjtin intensitet edhe tani nëpër mbrëmje të ndryshme të pëlqehet. Ka pasur goxha sukses”.
Ndryshe Blunt ka një muaj që po qëndron në Oslo tek familja e tij, ku po e shfrytëzon rastin të jetë në lëvizje edhe nëpër vende të ndryshme kudo që publiku atë dhe të pandashmin e tij Real1, i kërkon.